Rama vendosi dhe piketat e qeverisjes si "një skuadër kompakte" e maxhorancës PS-LSI, e cila u "besua me një votë popullore si e 1992" dhe do të jetë “kartvizita për t’u prezantuar tek shqiptarët në ditën e gjykimit pas 4 vitesh”
Rama shtoi se maxhoranca PS – LSI do të funksionojë në harmoni për programin e ri qeverisës, megjithëse në Parlament do funksionojë si 2 grupe parlamentare.
“Ky është moment vërtet krejt i posaçëm për ne të gjithë. Moment solemn për këtë grup kunvedor i cili sot mblidhet përpara se të zbresë në fushën e betejës parlamentare si trupë e mandatuar nga populli për të ndalur rrënimin e rilindur Shqipërinë. Të jemi krenarë por dhe të përulur përpara vullnetit të tyre sovran që do të jetë ligj për ne në çdo vendim qeverisës apo politik. Askush të mos harrojë kush dhe pse na ka dhënë besimin e madh dhe askush nga ne të mos ngatërrojë detyrën me pushtetin e popullit. Detyra është e jona, pushteti i popullit.
Të gjithë u përpoqëm fort të fitojmë mandatin pas një beteje të gjatë që na u besua me një votë popullore të ngjashme vetëm me atë të 1992. Tani e prapa të përpiqemi edhe më fort si një skuadër kompakte për të merituar këtë mandat të koalicionit tonë të 1 milionë votave”- tha Rama. Fjala e plote e Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama
RAMA: SINTEZA E PROGRAMIT ESHTE GATI PER TIA PARAQITUR PARLAMENTIT
Rama njoftoi se qeveria është gati të nisë punën duke pasur planin e punës për 100 ditë dhe 300 ditët e para të qeverisjes.
”Ministrat kanë kohë që kanë nisur punën. Skuadra ka gati dhe planin e punës për 100 dhe 300 ditët e qeverisjes. Sinteza e programit qeverisës është gati dhe po i nënshtrohet redaktimit gjuhësor para se t'i paraqitet Parlamentit."
RAMA: TE QEVERISIM SI TRUPE E VETME
Rama nënvizoi qeverisjen e mazhorancës PS-LSI s’i një trupë e vetme për t’i dhënë fund shpërdorimit të mandatit, shkaku kryesor për të cilën populli rrëzoi qeverinë Berisha në zgjedhjet e 23 qershorit.
“Të përpiqemi edhe më fort të mbajmë lart flamurin, si një trupë e vetme që jemi bashkë për të bërë punë të mira, për t’i dhënë fund shpërdorimit të mandateve. Secili prej nesh lypset ta meritojë këtë. Ndëshkimi popullor i 23 qershorit për ato sjellje vulgare dhe veprime brutale ishte njëhershëm urdhi i popullit mos bëni si këta nëse nuk doni të ndëshkoheni edhe më keq.
Ky është një urdhër që nuk diskutohet dhe askush të mos e thyejë këtë urdhër por të gjithë ta zbatojmë.Ne deputetët e shumcisës së re do të përpiqemi me gjithë forcë të meritojmë jo vetëm me fjalë por me përkushtim nderin e madh që na kanë bërë për 4 vitet që vijnë.
Të hënën vihemi në përballjen me krizën e vlerave morale, ekonomike që e ka dërrmuar vendin si mos më keq, këtë provë duhet ta kalojmë me sukses. Çdo ditë do të jemi në prove si shumicë, si qeverisje. Do të jemi në provë specifikisht për sjelljen ndaj njerëzve të këtij vendi.
Unë do bëj gjithçka që të garatoj që këtë përgjegjësi ta mbaj me faqe të bardhë. Pres prej jush që të bëni të njëjtën gjë që kjo shumicë të ecë përpara duke i kthyer popullit të drejtën e humbur të pushtetit. Shpresa dhe pritshërmia të mos zëvendësohet nga revolta ndaj nesh”- tha Rama.
RAMA: ASNJE LIDHJE KLIENTELISTE MES ADMINISTRATES E 2 GRUPEVE PARLAMENTARE
Rama u ndal tek punësimi, për të cilën në fushatën zgjedhore premtoi hapjen e 300 mijë vendeve pune.
“E di që jeni nën presionin e njerëzve që kërkojnë punë. Presioni natyrshëm do vijë të rritet, por duhet ta menaxhojmë me sukses dhe qetësi. Të humburit na kanë lënë një libër të trashë të marrëzive (flet për qeverinë Berisha) ku nxin kapitulli i dhunës ndaj adminsitratës. Nxin kapitulli i krimeve të flakjes pa asnjë motiv nga puna të mijëra sociliastëve apo punonjës të thjeshtë të shërbimeve që nuk plotësonin asnjë kriter vetëm politik. Nxijnë faqet e maskaradës së një korrupsioni që u katandis në shitblerje.
S’duhet ta nxijmë librin me padrejtësira të kësaj natyre. Do vendosim kulturën e konkurencës. Shteti është i qytetarëve jo i partive në pushtet.
Qeveria (Berisha) bëri emërimet më të padrejta por dhe më qersharaket në dëm të Shqipërisë. S’ka dyshim që ne nuk mund dhe nuk do t’i mohojmë të rinjve dhe të rejave të mirëshkolluar të drejtën të fitojnë me meritë vendin ku duan të shërbejnë sa herë që ka një vend të tillë të hapur.... domodoshmërisht të ndajmë Shqipërinë nga epoka e shpartallimit të administratës.
Çdo deputet duke nisur nga unë të mos bëhet përçues i presionit të punësimit por administrues. Çdo ministër të jetë shembull në procesin e vlerësimit sa më objektiv të kapitalit dhe transparencë në emërime. Asnjë lidhje e shkurtër miqësore apo klienteliste të mos vendoset mes administratës dhe grupeve parlamentare. Duhet t’i gjejmë punëve njerëzit e duhur e jo nepotizëm. Në asnjë institucion të mos ketë bashkëshortë apo kushërinj të parë që firmosin në bordero. Për kë kërkon para për vende pune do kërkojmë dënimin maksimal."
DEPUTETET ADMINISTRUES TE MIRE TE BURIMEVE NJEREZORE
Rama kërkoi nga deputetët hapjen e zyrës në çdo njësi, menaxhimin e mirë të burimeve njerëzore në bazë të konkursit.
“Çdo deputet të përgatisë zyrën në njësinë e vet. Pritshmëria e lartë shoqërohet kudo me një ndjenjë padurimi krejt legjitim. Njerëzit janë sfilitur në rrugën e padrejtësive, papunësisë dhe shpërfilljes mes miliona hallesh anembanë vendit. S' mundemi t'ia zgjidhim problemin sa hap e mbyll sytë, por t'i gjendemi pranë dhe të vazhdojmë t'i dëgjojmë me durim si deri para ca muajsh kur i kërkonim votat. Të sigurojmë që qeverisja jonë nuk do të shkëputet nga realiteti i tyre dhe ata nuk do të shkëputen nga realiteti i qeverisjes.
“Minsitrat do të jenë me dyer të hapura për çdo kërkesë për investime të huaja që kërkojnë të hapin vende të reja pune”
DO MBAJME TE GJITHA PREMTIMET
Rama e mbylli fjalën e tij duke u shprehur i bindur se do ia dalë për të mbajtur të gjithë premtimet.
“Ky është një oportunitet i jashtëzakonshmë dhe kam bindjen më të thellë se do ia dalim të punojmë me përkushtimin më të madh dhe me profesionalizmin më të lartë që ky vend ka njohur në 20 vjet për të mbajtur të gjitha zotimet tona, për të cilat ne nuk do të lëvizim në asnjë pikë realizimin e tyre. Ne do ta kemi kartvizitën me të cilën do të prezantohemi tek shqiptarë në ditën e gjykimit pas 4 vitesh.”
Gramoz Ruçi rikonfirmohet kryetari i Grupit parlamentar. Maxhoranca do të funksionojë si dy grupe parlamentare, ndërkohë që të hënën do dalin edhe emrat e kryesisë së grupit PS dhe kush do jenë drejtuesit e komisioneve kuvendore.
Burime nga PS bëjnë të ditur se në mbledhjen e sotme të kryesisë PS është folur dhe për emrin e nënkryetarit të Parlamentit por zyrtarisht ende nuk ka një emër.
Redakasia online
(sg/jm/shqiptarja.com)