Rama zgjedh 22 nëntorin si ditë
të pastrimit të vendit para festave

Rama zgjedh 22 nëntorin si ditë<br />të pastrimit të vendit para festave
TIRANË - “Ta Pastrojmë Shqipërinë në një Ditë”. Kjo është nisma e re që ka ndërmarrë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe eurodeputetja, Tanja Fajon.

Sot në një konferencë të përbashkët për lëshimin e nismës ata kanë bërë të ditur se 22 nëntori do të jeta data, "kur të gjithë duhet të kthehemi në vullnetarë për të pastruar Shqipërinë nga mbetjet". Një datë e zgjedhur kjo nga kryeministri Edi Rama.

“Arsyeja pse Kryeministri propozoi datën 22 nëntor për realizimin e aksionit është nevoja për t’i paraprirë festimeve të 101-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Nuk ka mënyrë më të mirë për të pritur Shekullin e ri të Shqipërisë së Pavarur se sa duke e pastruar atë”, vijoi Veliaj.

Nisma vjen si propozim nga shoqëria civile, duke gjetur edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare, si një aktivitet masiv, i cili synon të kthehet në traditë në të ardhmen.
 
“Jemi shumë të lumtur që do të jemi pjesë të kësaj nisme. Për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian kemi ende disa gjëra për të bërë; kemi nevojë për ligje apo institucione më të mira, por ka diçka për të cilën nuk kemi asnjë justifikim: Të pastrojmë shtëpinë tonë!”, theksoi ministri Veliaj.

Ndërkohë janë katër ministri, që do të angazhohen në pastrimin e Shqipërisë në 22 nëntor: Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Pushtetit Vendor dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Në këtë aksion do të përfshihen të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, si dhe do të mobilizohen të gjitha shkollat dhe universitetet.
 
Nga ana tjetër, Veliaj këmbënguli se kjo nismë e “Greenline Albania” është një traditë e mirë e cila duhet të vazhdojë. “Të gjithë biem dakord se Shqipëria nuk duhet pastruar një ditë, por çdo ditë. Ama, është shumë e rëndësishme që t’ia fillojmë nga diku”.
 
Nga ana e saj, Fajon u shpreh e lumtur për interesimin e opinionit publik shqiptar ndaj kësaj nisme dhe i ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë që në datën 22 nëntor t’i bashkohen vullnetarëve për të pastruar mjedisin nga mbetjet. “E dua Shqipërinë! Ajo ka shumë bukuri natyrore, prandaj duhet të mbledhim forcat për ta pastruar e për ta bërë edhe më të bukur”, nënvizoi Fajon.

Ajo theksoi se prej tre vitesh, Sllovenia është një nga vendet shembuj të kësaj nisme dhe sot është me të vërtetë bukur të shohësh rezultatet e arritura. “Më shumë se sa një ditë ndëgjegjësimi, 22 nëntori do të jetë edhe një ditë sociale, ku njerëzit kanë mundësi të bashkëpunojnë dhe koordinohen me njëri-tjetrin për të pastruar mjedisin përreth tyre. Jam shumë e lumtur që qeveria shqiptare e ka mbështetur këtë projekt”, tha Fajon.
 
Veliaj nga ana e tij shprehu kënaqësinë që nisma “Ta Pastrojmë Shqipërinë në një Ditë” mbështetet edhe nga eurodeputetja, Tanja Fajon. “Jam i mahnitur nga përkushtimi i saj për çështje që ndryshojnë jetët e njerëzve”, tha Veliaj.

Lëvizja civile “Ta Pastrojmë Shqipërinë në një Ditë” është pjesë e lëvizjes “Let’s Do it World”, e cila është candidate për çmimin “UN Prize” në fushën e të drejtave të njeriut për promovimin e një mjedisi të pastër në të gjithë botën. Këtë nismë e mbështesin 107 shtete, janë organizuar 139 aksione pastrimi dhe janë angazhuar rreth 8 milion vullnetarë, të cilët kanë mbledhur mijëra ton mbeturina në të gjithë botën.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit