TIRANË, 17 Shkurt/ATSH/-Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mirëqenies Sociale, Erjon Veliaj, kanë marrë pjesë sot në ceremoninë e çeljes së Zyrës së re të Punës në Laç, ku ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë Laç, Artur Bardhi dhe përfaqësues të biznesit.
Deri në muajin nëntor të vitit 2014 rezultojnë 92.521 persona më shumë të punësuar. Shifra që i referohet të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, u bë sot publike nga kryeministri Rama.
Kryeministri Edi Rama duke folur për këtë nisëm të re në qytetin verior të vendit, u shpreh se "Sot ne kemi 10 zyra punësimi. Faktikisht, kjo e Laçit është e 10-ta në zinxhirin e zyrave të punësimit që do të zgjatet më tutje me zyrat e punësimit në Kukës, Lezhë e Shkodër dhe pastaj do të shtrihet në të 61 bashkitë e reja të vendit. Sigurisht që zyra e punësimit nuk është çelësi magjik për të zgjidhur problemin dhe për t'i hapur rrugën punësimit. Ashtu sikundër, nga ana tjetër, zyra e punësimit është një mundësi e re padyshim, pasi zyra e punësimit është ajo pikë takimi e munguar, për të realizuar komunikimin mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve. Eksperiencat tona të këtij rrjeti të ri zyrash punësimi flasin qartë për nevojën e tyre, por edhe dëshmojnë qartë se sa e madhe bëhet kjo mundësi e re, atëherë kur në këtë pikëtakim realizohen kontaktet e duhura mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve".
"Sot, në faqen e zyrtare të Shërbimit të Kombëtar të Punësimit ka 2.230 vende të lira pune në 65 qytete të vendit. Në shkallë vendi, qysh nga dita e parë e punës tonë janë shpallur 30.583 vende të lira dhe përmes zyrave të punësimit janë punësuar 16.490 punëkërkues, të cilët sot figurojnë në librat e llogarive të shtetit, qoftë si të punësuar të siguruar dhe qoftë si taksapagues të rregullt. Zyra e Punës në Tiranë ka punësuar deri tani 2.938 persona, Zyra e Punës në Durrës ka punësuar deri tani 2.813 persona, Zyra e Punës në Vlorë ka punësuar deri tani 1.593 persona dhe Zyra e Punës në Fier ka punësuar deri tani 1.540 persona. Unë jam i bindur që ashtu si dhe unë, edhe ju jeni të vetëdijshëm se kjo është një sfidë e vështirë dhe posaçërisht për këto zona është një sfidë edhe më e vështirë. Por jam po ashtu i bindur që çelja e kësaj zyre nuk është vetëm një ogur i mirë, por është edhe një hap i rëndësishëm përpara, në përpjekjen tonë për të krijuar kushte që kush do të jetojë me një punë të ndershme ta ketë mundësinë që ta kërkojë dhe ta gjejë atë punë të ndershme", u shpreh Rama.
Ministri Veliaj ftoi çdo sipërmarrës të shfrytëzojë mundësitë që ofron shteti nëpërmjet fondit të nxitjes së punësimit, ndërsa apeloi sipërmarrësit që të përfitojnë nga oferta e qeverisë që deri në datën 31 mars të paguajnë të gjitha sigurimet shoqërore të prapambetura duke ulur me 80 për qind gjobën e tyre për vonesën. Në ditën e saj të parë të punës kjo Zyrë e hapur në qytetin e Laçit regjistroi kërkesën e një kompanie të industrisë së përpunimit të peshkut për 60 punonjës, kryesisht gra  dhe vajza.
Laçi është qyteti i dhjetë në Shqipëri që ka një Zyrë të re e moderne pune, duke ofruar më shumë mundësi për qytetarët që të gjejnë një punë./i.v//a.ke/