Ramizi me intelektualët/ Alia-
Berishës:Ne e kemi merak Kosovën

Ramizi me intelektualët/ Alia-<br />Berishës:Ne e kemi merak Kosovën
TIRANE- Kjo është pjesa e fundit e takimit të intelektualëve me Ramiz Alinë mbajtur me 10 gusht 1990 në Pallatin  Kongreseve në Tiranë. Pasi kanë mbyllur çështjen e pluralizmit politik, një prej pikave më të nxehta të debatit ku Ramiz Alia ka dalë hapur duke ushtruar diktatin  tij, që ajo çështje të mos diskutohej dhe ti vihej pikë, pasi nuk kishte vend për pluralizëm partiak në Shqipëri, debatet kanë vijuar për çështjen e Kosovës.

Edhe në këtë pjesë të fundit është përfshirë Sali Berisha në pak momente, por në diskutime ka sunduar Ramiz Alia, i cili e shihte me rezerva edhe çështjen e Kosovës, edhe provokimet sipas tij që vinin që andej. Në fund të takimit Ramiz Alia ka bërë edhe një rezyme, duke përmbledhur idetë që ai donte të impononte tek intelektualët e mbledhur në atë sallë. Më poshtë sjellim pjesën e fundit të këtij takimi zbardhur sipas origjinalit nga incizimi zanor që është regjistruar atë ditë.  
 
Pjesa 10
(Vijon nga dje)
 
Ramiz Alia: Tani, për sa i përket këtyre, problemit tjetër, çfarë thatë ju Stalinit: Unë mendoj që ky është një problem tepër kompleks, më vete është problem, por duhen parë qëndrimet ose veprimet në këtë drejtim duhet t’i kemi pak të matura, sipas mendimit tim. Pse? Nuk po diskutoj më çështjen si është pozita ideologjike mbi Stalinin etj., etj.

Neve një gjë që thoshin deri para disa kohësh për Stalinin që ne s’kemi dokumente mbi të, tani po nxjerrin edhe dokumente të ndryshme, dhe nuk mundet ne të themi që këto dokumente nuk vërtetojnë këtë ose atë tjetrën. Pikëpamja jonë ka qenë ajo për atë rol që ka luajtur në luftën patriotike, për atë ç’ka ka bërë për Shqipërinë lidhur me çështjen e Jugosllavisë etj. D.m.th. ky është pak a shumë trungu ku mbahemi për këtë çështje.

Nga salla: Bëhet fjalë për vitet ‘48-‘50.
Ramiz Alia: Po ato vite kanë qenë, pastaj ajo periudhë është se s’ka më.
Nga salla: Po se më përpara s’ishte...

Ramiz Alia: S’ka ekzistuar përpara asgjë tjetër. Ka shumë muhabete për të bërë rreth këtyre çështjeve. Por unë e kam këtu hallin që ky problem, mos të harrojmë që mirë neve kemi një mendim dhe jemi në një masë, por në popullin tonë ka edhe një masë të madhe njerëzish të tjerë që nuk mendojnë kështu siç mendojmë ne. Tani ndonjë mund të thotë, epo mirë ata. Por edhe ata mund të thonë për ne, epo mirë këta. Nuk shtrohet çështja kështu, nuk diskutohet dhe nuk duhet të shtrojmë çështjen epo ne kështu, le të mendojnë ndryshe ata. Edhe le të thonë: le të mendojnë ndryshe.

Zëra në sallë...
Ramiz Alia: Tani ti erdhe te llafi që po të them unë. Pra, të veprojmë me një mënyrë të tillë që të kalojë kjo gjë pa një ashtu.
Nga salla: Po, po, qartë.

Ramiz Alia: Për sa i përket propagandës së botës së jashtme, mos kini merak. Në daç vini bustin, në daç hiqe bustin, në daç shaje atë.
Dhimitër Shuteriqi: Do gjendet Daut Hoxha.

Ramiz Alia: Si? Kush? Ja, sa të dalim ne prej kësaj mbledhjeje. Mos u mërzitni. Kështu që “stalinistë” s’na hiqet ajo neve. Nuk na vihet nga monumenti. Neve sigurisht, kjo është edhe një pasqyrim i mungesës së demokracisë sonë ose i edukatës demokratike. Ne jemi shumë sensibël. Ne po na shanë, revoltohemi. Pse na thonë stalinistë, ne nxehemi.

Po mirë, mos të nxehemi, të mësohemi edhe ne që të mos nxehemi. Çfarë të na thonë, nxehemi. Duhet të mësohemi pak që të durojmë. Po ne po na shajnë edhe për gjëra të tjera. Jo, dua të them, e kam këtu fjalën, me këtë nuk dua të justifikoj që o burra, të na shajnë. Por edhe sikur të mos jenë monumentet e Stalinit, prapë do të na shajnë. Si do të bëjmë? Të gjejmë ndonjë mënyrë. Ja e hoqën edhe në Shkodër...thuaj edhe në Fier ta heqin...
Zëra nga salla...
 
Nga salla: Shoku Ramiz, të them dy fjalë: Tha kryetari i kooperativës kur u hodhën ato shashkat: ç’të bëj, - tha, - t’i bëj roje por unë pak kooperativistë kam. I tha ai: merre në shtëpi. Edhe e futi në shtëpi ai.
Ramiz Alia: Po, mirë, ja ka edhe të tilla gjëra, p.sh. Mua më duket se nuk është ndonjë problem që ne na zgjidh në planin ndërkombëtar.

Ramiz Alia: Shiko, neve o Mumtaz, neve pa nofka nuk shpëtojmë.
Mumtaz Dhrami: Po mirë, të na e vënë skënderbegas atëherë.

Ramiz Alia: Jo more, skënderbegas nuk ta vënë se je i madh për skënderbegas.
Sali Berisha: Në Kosovë ka një kuptim tjetër për këtë dhe...
Ramiz Alia: Çështja e Kosovës, ti shoku Berisha, është një çështje më vete që duhet ta kemi kujdes ne, kupton? Edhe unë e ti veçanërisht që jemi shumë prokosovarë. Jemi pak kosovarë, apo jo?
Sali Berisha: Ashtu është realiteti.

Ramiz Alia: Do kujdes pak. Çështja e Kosovës është tepër e komplikuar. Edhe mendimet e Kosovës e të kosovarëve janë shumë ashtu, se p.sh. një burrë kosovar, që e lexova diku, thotë: Në Nju Jork Shqipëria duhet të shtrojë çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Unë mendoj që po të udhëhiqemi nga ato mendime, ne do të biem në provokacione të rrezikshme. Sepse kosovari përpara se ta thotë atë duhet ta bisedojë me ne dhe kur nuk begenis ta bisedojë me ne dhe e thotë atje, do të thotë që është provokator. Kushdo qoftë ai, për mua s’ka rëndësi. E kupton?

Sali Berisha: Dakord, por...
Ramiz Alia: Tjetër, më fal. E kam që duhet të jemi dhe ne pak, pse është bërë si modë kjo Kosova. Duhet të jemi mirë, të ndjekim mentalitetin e tyre. Vajti Mark Krasniqi që e njohim ne dhe e kemi mik...
Ramiz Alia: Po, miku ynë. Po bën pajtimin kombëtar në Amerikë! Meqë po bëjmë pajtimin e gjaqeve, hajt të bëjmë pajtimin e gjaqeve edhe në Amerikë. Pajtim me ballistët? Me të Xhaferr Devës?...
(Ndërpritet incizimi)

 
Pjesa III (Incizimi i tretë përmban pjesën e fundit të takimit me intelektualët dhe bisedën e plotë të ramiz alisë me specialistë të ekonomisë, zhvilluar disa ditë më vonë)
 
 Ramiz Alia: ...Një problem tjetër, por p.sh. po të pyesësh kosovarët, kosovarët do të thonë që edhe në Shqipëri të krijohet pluripartitizëm, sepse duke krijuar në Shqipëri pluripartitizëm i heq armët Serbisë e cila nuk po pranon alternativat kosovare. Pra për hir të çështjes kosovare ....(ndërprje) ...Shqipëria duhet të ruajë, pa menduar se çfarë mund t’i sjellë kjo Shqipërisë. Këtu, në këtë kuptim them që duhet gjithmonë t’i shikojmë pak tezat kosovare, t’i shikojmë edhe nën filtrin e interesave të Shqipërisë që të mos duket, jo çdo gjë që thuhet në Kosovë është e aplikueshme dhe e domosdoshme për Shqipërinë.

Ne duhet të kuptojmë taktikat e kosovarëve, taktikat e tyre, në kohën e tyre, në luftën e tyre, në situatat e tyre. Dhe ata, nga ana e tyre, jo vetëm duhet ta kuptojnë, por në disa raste duhet shumë të na përkrahin se pa Shqipërinë nuk ka Kosovë, pa luftën e Shqipërisë, pa ekzistencën e Shqipërisë nuk mund të ketë liri e pavarësi edhe të drejta për Kosovën. E pamundur. Janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Sali Berisha: Dhe ata na kanë përkrahur.
Ramiz Alia: Kush? Po patjetër na kanë përkrahur, edhe na kanë përkrahur dhe i përkrahim dhe do të na përkrahin dhe do t’i përkrahim. Por e them që duhet pasur parasysh mirë këto raporte se ngandonjëherë duket sikur janë raporte të drejta, por janë ekuacione pak më të ngatërruara.

Dhimitër Shuteriqi: Kisha një vërejtje shoku Ramiz. Ata, për spekulim ndonjëri, ose shumë, se ashtu mendon ekzaktërisht shumica, ato që lexojmë, ose që dëgjojmë, por edhe këtu ekziston ky mendim, kam përshtypjen unë. Duan mundësisht një mbështetje më të madhe të dukshme nga neve. Unë për veten time kam plus kësaj diçka, që duhet ta ndiejnë serbët bashkë me të tjerët se ka edhe malazezë, ka dhe maqedonas, jo në mënyrë deklarative edhe me shpallje edhe me demonstrata, por ta ndiejnë që Drini vërtet është lumë, por nuk i ndan dot 6 milionë.

Duhet më shumë ta ndiejnë. Por, po s’e bëmë neve të ndjeshme për popullin tonë, s’e kemi bërë për popullin tonë këtu, se si do ta bëjmë është puna jonë, nuk e bëjmë dot të ndjeshme për popullin atje. Unë mendoj që ky televizioni ynë edhe kjo radioja jonë që i kapërcejnë kush ca kilometra e kush më shumë kilometra kufirin, kanë mundësi të mëdha që këto dy gjëra t’i ushqejë pak më shumë.

Ramiz Alia: Duhet t’i ushqejnë.
Dhimitër Shuteriqi:  Kështu mendoj unë.

Ramiz Alia: Jo, jo, duhet. Edhe unë mendoj, jam dakord me ty, që duhet ushqyer dhe nuk besoj që mund të konkludojmë që nuk i ushqen. Më mirë duhet ta bëjnë, patjetër. Por duhet të kemi, si të thuash, kujdes që ne t’i shtyjmë çështjet deri atje ku nuk preken interesat as të Shqipërisë, as të Kosovës. Sot reaksioni serbomadh kërkon në Kosovë sherr. Medoemos kërkon sherr. Por, të jemi të ndërgjegjshëm që ky reaksion serb që kërkon sherr, e kërkon që të gjakosë kosovarët.

Dhimitër Shuteriqi:  Po, sherrin e ka edhe me ne.
Ramiz Alia: Dhe sherrin e ka medoemos edhe me ne. Më falni që po e zgjas këtë muhabet. Kosova është tradhtuar. Kosova është përdorur dhe po përdoret fatkeqësisht, si të thuash, si një mjet për të arritur të tjerët qëllimet e tyre. Kosovën e përdori Kroacia dhe Sllovenia kundër Serbisë që të fitonin pavarësinë dhe të drejtat e tyre. E shitën Kosovën. E lanë kosovarin që të vritej, të copëtohej dhe tani e harruan. Tani Kosovën po e përdor Evropa dhe Amerika. Dhe po e përdor keq.

Dhimitër Shuteriqi:  Po. Edhe kundër nesh.
Ramiz Alia: Kundër nesh, por veçanërisht për qëllimet e tyre. Pse ata duan që të likuidojnë Millosheviçin, sepse duan që edhe në Serbi të vazhdojë ajo që u bë në Kroaci e në Slloveni, se kjo është linja e tyre e përgjithshme, dhe po përdorin Kosovën si mjet për t’i bërë presione Serbisë. Por të jeni të bindur, që në qoftë se në Serbi do të ndodhë e do të bëhen zgjedhjet në atë formë si i duan ata dhe do të dalin në fuqi ata që do të dalin, Kosova u tradhtua prapë. Kur të doni. Këtë kosovarët duhet ta kuptojnë mirë.

Këtu nuk varet kjo, d.m.th. fatet e Kosovës nuk janë të lidhura as me atë çka thotë. Vini re ju, kush ka folur deri tani për Kosovën? Për Kosovën deri tani kanë folur vetëm organet parashtetërore, shtetërore asnjë s’ka folur. Nuk ka folur Departamenti i Shtetit, por ka folur Senati. Senati s’është gjë hiç. Nuk ka folur qeveria italiane, nuk ka folur qeveria franceze, asgjë. Përkundrazi. Por ka folur një parlament i Strasburgut.

Nga salla: Ose një gazetë.
Ramiz Alia: Gazetë, lëri ato xhanëm, sa të duash nga ato. Po si shtet, nuk ka folur, përkundrazi. Ky është realiteti. Prandaj, jo e kisha këtu fjalën që edhe situata politike, se ne nuk u futëm këtu në situatën aktuale politike. Ka disa probleme të cilat duhet të na tërheqin vëmendjen në veprimtari në tonë. Sepse direkt ose indirekt ndikojnë mbi vendin tonë. Ja, siç është kjo çështja e Ballkanit. Është me të vërtetë tepër e madhe. Por edhe ngjarjet në Lindjen e Mesme nuk janë të thjeshta. Nuk është çështja se iu tek Sadam Huseinit të bëjë atë që bëri.

Jo, jo. Është më tepër. Është e lidhur edhe me Izraelin, e lidhur me tërë gjendjen e Lindjes së Mesme. Prandaj, janë disa probleme të jashtme të cilat ne duhet t’i ndjekim me kujdes. Por, ta lëmë tani këtë të jashtmin? Të vijmë tek e brendshmja e jona. Ta mbyllim ne?

Nga salla: E mbyllim.
Ramiz Alia: Mirë, ju faleminderit shumë për ato mendimet. Për mua qe një kënaqësi e madhe të takohem, por jo vetën kaq. Edhe një ndihmë e madhe nga juve, kuptohet, se kur dëgjon edhe mendimet e tërë shokëve edhe të inkurajojnë. Dhe të gjithë kemi nevojë për inkurajim, për forcë, për besimin e shokëve. Konkluzioni që të tërë bashkë do të tërheqim është pikërisht ky: Në këtë rrugë që kemi nisur, të ecim përpara pa asnjë hezitim. Të ecim bashkë, të luftojmë bashkë, të jemi më aktivë dhe po ecëm në këtë rrugë ku të jemi të sigurt, edhe perspektivën nuk e kemi të paqartë.

Perspektiva jonë është e lidhur edhe me faktin që nuk kemi një vend të varfër, në kuptimin e resurseve dhe të mundësive të tij. Perspektiva jonë favorizohet nga fakti që nuk kemi borxhe, kështu që mundësia e bashkëpunimit ekonomik e financiar me botën është më e lehtë për ne. Perspektiva jonë është e mirë. Jemi një vend i vogël, ne nuk kemi nevojë për investime kolosale, për ndryshime të mëdha. Një gjë e vogël menjëherë ndryshon jetën. D.m.th. 10 fshatarë të dalin në pazar e të sjellin domate, menjëherë gjallërohet qyteti i Tiranës në perime.

Pra, d.m.th., të gjitha këto na japin mundësi që të ecim përpara. Ne padyshim, këto vendime të partisë që kemi marrë, ne duhet t’i thellojmë edhe në planin ekonomik, edhe të mos trembemi. Sidomos i drejtohem këtyre teoricienëve. Të mos trembemi se disa çështje mund të prekin edhe ndonjë gjë nga ato leksionet që keni bërë. Kini guximin t’i korrigjoni. Nuk mendoj unë se duke u zhvilluar, si të thuash, tregtia private ose duke u zhvilluar ai tregu fshatar ose duke i dhënë fshatari atu dy dynymë tokë ose duke i lënë shërbimet në duart e privatëve, do të na lindë kapitalizmi.

Mund të lindin njerëz që do të pasurohen, le të pasurohen. Nuk u prish ndonjë gjë. Këtu shteti ynë duhet të veprojë nëpërmjet ligjeve të veta. Ligjet e shtetit tonë do të jenë ligjet e taksave. Ku ka që po rritet e ardhura, t’i bjerë. Nuk e di unë si e keni, edhe të drejtat e autorit i keni ju me faqe? Ku ka faqe më shumë merr më shumë, ku ka më pak merr më pak. Prandaj edhe këtu, ku merr më shumë taksa të jetë më e madhe, ku ka më pak taksa të jetë më e vogël. Pra, dua të them, këto që kemi nisur, ne duhet t’i çojmë përpara.

Vështirësi ka, vështirësi do të ketë. Ismaili përdori termin “rozë”. Mua më pëlqen më shumë “bulevard”. Nuk e pse, më hap edhe perspektivë. Bulevard nuk është puna jonë. Për këtë të jemi të bindur. Përkundrazi, e kemi me gropa. Por, ne kemi kaluar kohë më të këqija, më të vështira dhe medoemos do t’i kapërcejmë edhe këto vështirësi e pengesa që janë. Mjafton që të jemi të bindur në rrugën tonë. Alternativë tjetër për ne nuk ka. Këtë duhet ta kemi të qartë.

Do të bëja një paralelizëm. Më falni, tani se kur filloj e flas ikin llafet. Dua ta mbaroj e s’e mbyll kollaj. Është si në kohën e luftës. Ç’alternativë tjetër kishte populli ynë? Alternativa ishte një: o duhej të zhdukej si komb, si popull ose duhej të luftonte, të vritej, të copëtohej, të digjej dhe të fitonte lirinë dhe pavarësinë. Rrugë tjetër s’kishte. Rruga e dytë e vështirë shumë ishte. Madje qartë nuk e shikonim as neve në atë kohë. Është kështu apo jo? Ç’alternativë të ndiqnim tjetër? Balli Kombëtar hapi një alternativë në atë kohë, e propozoi. Të pajtohej me okupatorin sepse do të ruajmë forcën e gjallë të kombit. Të krijojmë Shqipërinë e madhe se ja u krijua, përfitojmë nga kjo. Por po të ishim vënë në atë anë, ç’do pësonim?

Salla:  Do ishim ndarë përgjysmë.
Ramiz Alia: Shqipëria do të ishte ndarë përgjysmë. Gjysma Greqia e gjysma Jugosllavia, mbaroi atdheu ynë. Po e njëjta dhe sot. Po e njëjta situatë është. Në qoftë se ne ecim në rrugë të gabuar, në qoftë se ne ecim dhe i nënshtrohemi këtyre presioneve, kësaj lufte që po bëjnë armiqtë kundër nesh, ne do të humbim lirinë dhe pavarësinë e atdheut, po për socializëm s’bëhet fjalë, por edhe lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Dhe liria dhe pavarësia e atdheut nuk humbet vetëm duke ardhur bazat ushtarake.

Jo. As duke ardhur aviacioni i huaj. Jo. Humbet edhe në qoftë se ne nuk kemi në dorë ekonominë. Në qoftë se ne nuk kemi në dorë sovranitetin kombëtar. Në qoftë se ne nuk kemi në dorë sovranitetin e popullit. Edhe kjo s’është liri më. Për këtë arsye, rruga që ndjekim ne është alternativa më e drejtë, më fisnike, më e qarta që është në të mirën e atdheut, në të mirën e popullit, në të mirën e Shqipërisë. Prandaj, kësaj rruge i jemi futur me besim, t’i futemi me besim, ta ndjekim me guxim dhe me siguri do të shkojmë përpara.

Ramiz Alia: Ju faleminderit edhe një herë!
Duartrokitje në sallë...
Ramiz Alia: Edhe mirupafshim përsëri!
Tani, të përshëndetemi e të ikim? ..Hajde afrohuni kështu....
Ngjatjeta e mirupafshim!
 
(Inçizimi mbyllet në minutën e 12. Më tej është regjistruar një tjetër takim i Ramiz Alisë me specialistë të ekonomisë, bisedë që gazeta do ta zbardhë në ditët në vijim.)
ramiz alia


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç