Plazhi i Ranës së Hedhun në Shëngjin është kthyer në një atraksion edhe për pushuesit e huaj, të cilët zgjedhin Shqipërinë si një destinacion për të kaluar pushimet verore. Vizitorë nga vende të ndryshme të botës mbërrijnë me kampera, duke kërkuar një eksperiencë ndryshe.

"E kemi zgjedhur këtë vend sepse nuk e kemi shume larg. Këtu kane ardhur edhe shumë miq te tjerë gjerman. Na pëlqen shumë deti, natyra sepse këtu afër janë edhe malet. Eshtë shumë bukur, i kemi dhe kushtet për të qëndruar me kampera" thotë një turist. 

Natyra, qetësia dhe mundësitë për aktivitete të ndryshme sportive janë ndër arsyet kryesore që i sjellin ata në këtë pjesë të bregdetit të Lezhës.

"Na pëlqen shumë ky vend. Jemi nga Austria. Gjithçka është shum bukur. Deti edhe natyra" tregon një tjetër. 

Një tjetër element që lë gjurmë te turistët është mikpritja e banorëve vendas. Kontakti me komunitetin dhe atmosfera e ngrohtë bëjnë që shumë prej tyre ta përjetojnë qëndrimin në Ranën e Hedhun si një eksperiencë familjare dhe të veçantë.

"Vijmë çdo vit në këtë plazh, që nga 2021. Madje këtë vit është hera e dytë që jemi në këtë zonë. Më duket si shtëpia ime. Kjo për shkak edhe të mikpritjes që gjejmë këtu" thotë një turiste. 

E vendosur mes detit dhe malit, Rana e Hedhun mbetet një prej  zonave më të spikatura turistike të bregdetit të Lezhës, duke fituar gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj.