TIRANE- Një vrojtim i kryer nga Banka e Shqipërisë mbi 1280 familje evidenton se 30% e tyre kanë një ose më shumë hua për të shlyer, ndërkohë që 34% e tyre e kanë marrë për të mbuluar nevojat për konsum. Numri total i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar në momentin e intervistimit, pavarësisht llojit, burimit apo vlerës, ka rezultuar në 318 familje ose rreth 30% e atyre që i janë përgjigjur pyetjes (rreth 26% e kampionit total).

“Rreth 74% e familjeve huamarrëse deklarojnë të ardhura mujore në nivelet ‘nën 17 mijë lekë’ (25%) dhe ‘17-50 mijë lekë’ (49%). Familjet kanë përdorur huamarrjen pranë bankave dhe huamarrjen në burime alternative financimi. Dy qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten ‘konsumi’ në 34% të rasteve dhe ‘blerje/riparim prone’ në 29% të rasteve” thekson Banka e Shqipërisë.