Më shumë se 1 nga 3 çështje penale në vitin 2025 është regjistruar në Tiranë. Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme i paraqitur në Kuvend për punën e vitit të kaluar evidenton se 36,62 % e numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi janë në prokurorinë e kryeqytetit, e ndjekur nga Durrësi me 9,51 %; Korça e Shkodra me nga rreth 7.5%. Me nën 3% të çështjeve janë 4 qarqe, Gjirokastra 2,86 %; Berati 2,50 %; Kukësi 2,45 % dhe në fund Dibra, qarku me më pak krime, me vetëm 2,38 % të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi.
Sa i përket tipologjisë së veprave penale, krimet kundër sigurisë dhe rendit publik mbajnë peshën më të madhe, duke zënë 32.81% të totalit. Me fjalë të thjeshta, gati një në tri procedime që ndjek prokuroria lidhet me këtë grup veprash penale që nis me tubimet e paligjshme, thirrja për urrejtje apo dhunë e deri te armëmbajtje apo trafiku i drogës.
Pas tyre vijnë vjedhjet e pasurisë me 20.95% (edhe pse me një ulje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë) ndërsa një peshë gjithnjë e më të madhe po marrin veprat që lidhen me tokën dhe ndërtimet pa leje. Megjithatë Prokuroria e Përgjithshme thotë se referuar analizës, tendenca tregon një rritje të kriminalitetit në grupveprat penale që lidhen me pasurinë, personin, rendin publik dhe veprimtarinë shtetërore, sidomos krimet në biznese, ato që cenojnë regjimin juridik të tokës, veprat në lidhje me veprimtaritë bankare e financiare, taksat e tatimet etj. Nga ana tjetër, është vënë re ulja e procedimeve të regjistruara për disa kategori, si veprat penale kundër krimit kompjuterik, pastrimit të parave, korrupsionit, lojërave të fatit, shkatërrimit të pronës, vjedhjes etj.
Një element për t’u veçuar janë pikërisht kategoria e veprave penale që cilësohet si ‘regjimi juridik i tokës’, por që lidhen më së shumti me ndërtimet pa leje në territor. Aksioni i vitit të kaluar kundër ndërtimeve pa leje që kulmoi në zonën e thethit pasqyrohet edhe nga shifrat e Prokurorisë së Përgjithshme.
Kjo kategori veprash ka pësuar një rritje prej 51.25% krahasuar me vitin 2024, ndërsa çështjet e çuara në gjykatë janë 67,74 % më shumë se viti paraardhës.
Kjo tabelë në faqen 117 të raportit e tregon qartazi se përveç Tiranës, ku është popullsia më e madhe, janë prokuroritë në zona të njohura turistike si Shkodra dhe Vlora që kanë përkatësisht nga 11 % të numrit total të procedimeve të regjistruara, apo edhe Saranda e Durrësi me nga 10%.
Prokuroria e Përgjithshme gjithashtu raporton se gjatë vitit 2025 është vënë re një rritje e konsiderueshme të kallëzimeve nga administrata shtetërore. Në vitin 2025 rezulton të kenë ardhur në prokurori 895 kallëzime nga nëpunësit publikë, që përbën rritje prej 11,60 % krahasuar me vitin 2024. Një kallëzim ka mbërritur nga personeli mjekësor, ndërkohë që në vitet 2021-2024 nuk ka pasur asnjë.
Edhe Policia e Shtetit ka referuar më shumë ngjarje në prokurori. Në vitin 2025 rezulton të kenë ardhur në organin e akuzës 37.863 referime, që përbën rritje prej 9,47 % në krahasim me vitin 2024. Në total numri I kallëzimeve në prokurori ka shënuar një rritje prej rreth 18%.
Komente











