89% e qytetarëve të anketuar mendojnë se në policinë e shtetit ka korrupsion, por vetëm 6% e tyre e kanë denoncuar atë. Është ky rezultati i raportit të realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërveprim.

Të dhënat e studimit janë shqetësuese në perceptimin që publiku ka për lidhjen e punonjësve të policisë me njerëz nga bota e krimit, përfshirë këtu edhe krimin e organizuar. 57% e qytetarëve të pyetur janë shprehur se ka punonjës policie të lidhur me grupet kriminale.

Ndërsa 61% e të anketuarve u shprehën se mendojnë se oficerët e policisë janë të përfshirë në aktivitete të paligjshme. Publiku mendon se korrupsioni është përgjithësisht më i përhapur mes gradave më të larta sesa tek oficerët e rangut të ulët dhe të mesëm. Drejtoria e Antidrogës dhe Trafiqeve, Policinë Rrugore, Departamenti i Krimit Financiar dhe Policia e Kufirit dhe Migracionit renditen të parat nga publiku si më të korruptuarat në polici, ndërsa më e moderuar raportohet të jetë SHÇBA. Më shumë se 60% e të anketuarve nga sondazhi publik thanë se ryshfeti dhe favorizimet janë formë korrupsioni që ndodh shpesh ose shumë shpesh. Problematikë mbetet edhe abuzimi me fondet dhe manipulimi me provat. Po ashtu, ankesa ka edhe për ngritjen në detyrë në Polici të Shtetit dhe meritokracia. Gjysma e të anketuarve mendojnë se ndikimi i politikës në emërime është i madh.