TIRANE - Shqiptarët duan një të ardhme ku ligjet respektohen, rregullat zbatohen njëlloj për të gjithë dhe standarde më të larta jetese. Është ky rezultati i hulumtimit të zhvilluar nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI), organizatë jo-fitimprurëse e cila punon për mbështetjen dhe forcimin e institucioneve demokratike në botë.

10 grupe të fokusuara nga Tirana, Shkodra, Fieri dhe Korçka kanë qenë pjesë e këtij hulumtimi të zhvilluar prej 8 ditësh, nga data 10-18 tetor 2012, mendimet e të cilëve vlerësojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar.

Papunësi, çmime gjithnjë e në rritje, rroga të ulëta dhe korrupsioni, shihen nga grupet e marra në hulumtim si faktorë të cilët kanë ndikimin me të madh në nivelin e tyre të jetesës.

Raporti thekson se shumica e qytetarëve përgjithësisht fajësojnë qeverinë për situatën e zymtë ekonomike në vend. Gjithashtu qeveria u vlerësua me nota të ulëta për sa i përket hapjes së vendeve të reja të punës dhe luftës kundër korrupsionit.

Megjithatë, rekomandimi i Komisionit Evropian për t’i orfuar Shqipërisë statusin e kushtëzuar kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, shihet nga pjesa më e madhe e pjësemarrësve shenjë optimizmi dhe përmirësimi.

Rezultat kyç i këtij hulumtimi janë edhe pakënaqësitë e shprehura ndaj sistemit politik në vend, duke u fokusuar në distancën që qytetarët ndjejnë ndërmjet tyre dhe politikanëve. Sipas hulumtimit të Institutit Demokratik Amerikan shqiptarët kërkojnë që politikanët të tregojnë një shkallë më të lartë interesi ndaj problemeve të qytetarëve.

Ky studim synon identifikimin e problemeve të qytetarëve për t;ia përcjellë ato liderve politikë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen në 23 qershor.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)