Kreditë nuk po paguhen në kohë, sidomos nga bizneset, e me dhjetëra milionë euro hua të papaguara po fshihen nga bankat çdo vit.

Raporti i stabilitetit financiar i Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit tregon se edhe pse raporti i kredive me probleme në qershor zbriti në 3.7% niveli më i ulët në 15 vjetët e fundit, në vlerë ato u rritën me 1 miliardë lekë duke kapur vlerën 37 miliardë lekë.

“Vlerat më të larta të raportit të kredive me probleme u regjistruan tek portofoli i kredisë në Lekë, asaj afatmesme dhe kredisë për biznese”, thuhet në raport, teksa evidentohet se cilësia e portofolit të kredisë në valutë mbetet e qëndrueshme.

Por kjo vlerë do të ishte edhe më i lartë nëse bankat nuk do të fshinin 4 miliardë lekë kredi të humbura gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore. Nga viti 2015 kur Banka e Shqipërisë vendos të ndërhyrje me një plan të posaçëm masash për të ulur nivelin e kredive me probleme që kishin arritur në 23%, nga regjistrat e bankave tregtare janë fshirë 94 miliardë lekë kredi të humbura, pra që nuk janë shlyer ndër vite.

Ndërsa rënia e huave të këqija vetëm në përqindje vjen për shkak të rritjes së kredive të reja që po japin bankat për ekonominë, si për qytetarë ashtu edhe për biznese. Për herë të parë kredia për ekonominë kaloj këtë vit vlerën e 1 trilionë lekëve, ndaj banka thotë në raport se duhet monitorim i vazhdueshëm.

“Zgjerimi i shpejtë i aktivitetit kreditues dhe dinamika e disa treguesve që monitorojnë lëvizjet në fluksin e kredive me probleme, evidentojnë rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të ecurisë së cilësisë së portofolit të kredisë”, vijon raporti.

Për shkak të vështirësive në pagimin në kohë të kësteve, në raport theksohet se janë ristrukturuar 3 miliardë lekë hua në gjysmën e parë të vitit. Portofolet e prekura nga ristrukturimi i kredisë lidhen kryesisht me kreditë në valutë për sektorin e biznesit, ku kredimarrësit kanë kërkuar zgjatja e afatit të maturimit.