Raporti i 7-mujorit, rritje 6.5%
e të ardhurave buxhetore

Administrata e financave publike ka arritur të ruajë një performancë të mirë edhe gjatë muajit korrik të këtij viti, duke siguruar rritje të të ardhurave si shtatëmujor, ndërkohë që shpenzimet buxhetore janë rritur me një ritëm dyfish më të lartë, krahasuar me një vit më parë në të njejtën periudhë.

Kjo ishte e pritshme për një vit elektoral dhe siç ka ngjarë vazhdimisht me financat publike në situata të tilla.

Në përgjithësi, vihet re se ende është ruajtur suficiti buxhetor, por ky është reduktuar shumë ndaj rezultatit të një viti më parë, si dhe të viteve të tjera jo-elektorale.

Por, me përjashtim të tatimit mbi të ardhurat personale, që rezulton të ketë sjellë në arkën e shtetit më pak lekë se një vit më parë, gati të gjitha zërat e tjerë kanë rezultuar me rritje.
 
Të ardhurat
Në total shifra e të ardhurave buxhetore si 7-mujor ka qenë 248.4 miliardë lekë, nga 233.2 miliardë lekë një vit më parë. Kjo do të thotë se rritja ka qenë në masën 6.5 për qind tek të ardhurat.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka sjellë në arkë 5.7 për qind më shumë të ardhura, duke kaluar nga niveli i 74.1 miliardë lekëve në fund të muajit korrik 2016, në 78.3 miliardë lekë në fund të muajit të shtatë të vitit në vazhdim.

Një rezultat edhe më të lartë ka shënuar tatimi mbi fitimin, nga i cili janë realkizuar të hyra financiare në masën 19.3 miliardë lekë, nga 18.1 miliardë lekë një vit më parë, me një rritje prej 6.6 përqindësh.

Sa u përket akcizave, këtu performance është edhe më e lartë: 8.6 për qind rritje, duke kaluar nga 23.4 miliardë lekë, në 25.4 miliardë.

Ndërkohë, i vetmi zë me peshë në të ardhurat fiskale që rezulton me performancë negative ndaj një viti më parë është ai i tatimit mbi të ardhurat personale, ku përfshihen pagat e punonjësve. Duket se rritja e pagave në administratën publike, apo rritja e pagës minimale në shkallë vendi, nuk kanë sjellë rezultatin e pritshëm, ose fjala është për një rritje të evazionit në këtë drejtim.

Pushteti vendor arriti të kapë një rritje në masën 31.5 për qind të të ardhurave të veta fiskale, ndërkohë që shifra pozitive shënojnë edhe kontributet e mbledhura për sigurimet shoqërore (+9.2%) dhe për ato shëndetësore (+7.8%).
 
Shpenzimet
“Shpërthimin” e vërtetë zërat buxhetorë nuk e kanë arritur në këtë periudhë në sektorin e të ardhurave, por në shpenzimet. Ndërkohë që shpenzimet në total kanë qenë 14.3 për qind më të larta se një vit më parë si 7-mujor, janë shumë herë më të larta ato që janë kryer në fushën e shpenzimeve kapitale.

Shifra e investimeve është 46.2 për qind më e lartë se një vit më parë, dukshëm në mbështetje të projekteve të investimeve me fonde publike, të cilat janë lënë shpesh pas dore në vitet e shkuara, për të arritur stabilizimin e parametrave makroekonomikë, të dëmtuara rëndë nga huamarrja e lartë e qeverisë së kaluar, që rriti shpejt dhe shumë borxhin publik.

Si zakonisht, tundimi për të prerë shirita investimesh edhe këtë herë ishte i fortë për qeverinë Rama, e cila, megjithë përpjekjet e viteve të fundit për të vënë nën kontroll shifrat e borxhit, këtë herë, duke ruajtur gjithsesi suficitin në buxhet, e pakësoi atë 6.4 herë ndaj vitit të kaluar. Kështu, nga 18.4 miliardë lekë surplus në korrik të vitit 2016, këtë vit shifra zbriti në 2.9 miliardë lekë.        


 Investimet
dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion