Agron Tufa letër Berishës: Zgjedhjet për kryetar në degën nr.2 në Tiranë u manipuluan! Ogur i zi për zgjedhjet e 11 majit

Agron Tufa letër Berishës: Zgjedhjet për kryetar në degën nr.2 në Tiranë u manipuluan! Ogur i zi për zgjedhjet e 11 majit

Agron Tufa dhe Sali Berisha

Ish-drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa nga Zvicra ku dhe prej vitesh ka marrë azil politik përmes një letre publike i është drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës.

Zgjedhjet e së shtunës së 11 janarit në degën e Partisë Demokratike nr.2 në Tiranë, sipas Tufës kanë qenë të manipuluara, një ogur i zi sipas tij për zgjedhjet e 11 majit 2025 dhe zgjedhjeve në degët e tjera të kësaj partie.

Duke evidentuar faktin se trukimi i zgjedhjeve brenda të djathtëve prej vitesh ka qenë problem, Tufa i kërkon Berishës t’i japë fund kësaj “sëmundje të hershme” pasi në të kundërt kjo ndërhyrje nga lart e Kryesisë Qendrore nëpër degët e PD-së, do e “shpartallojë” vullnetin e votuesve demokratë dhe askush nuk do t’i besojë më. Ai thotë se zgjedhjet duhet të ribëhen rrënjësisht. 

Letra e plotë

Letër e ngutshme Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë

I nderuar doktor Berisha,

Nisur nga një shqetësim i hershëm dhe i ri, që s’ka e s’mund të ketë kurrfarë interesi personal, përpos botëkuptimit tim të djathtë, ju sjell edhe njëherë në vëmendje, ashtu si gjatë viteve 2006-2013 fillimisht, çështjen e ndërhyrjeve në rregullat demokratike nëpër degët e PD.

Ajo që ka ngjarë dje me zgjedhjet në degën nr. 2 të PD-së në Tiranë me megamanipulimin e vullnetit të lirë të anëtarëve të kësaj dege, me truket, falsifikimet, për të nxjerrë me doemos një fitues sipas shijeve të diktuara nga Grupi i Punës, është një ogur kobzi për perspektivën e ardhshme të zgjedhjeve nëpër degët e tjera dhe minim i rrugës së popullit demokrat drejt 11 majit 2025.

Për hir të zemrës së bardhë e të përkushtuar të demokratëve të thjeshtë anembanë Shqipërisë, këtij populli të mrekullueshëm, besnik e të shumëvuajtur, ju, doktor, duhet të informoheni mirë mbi këtë çështje. Për më tepër, të ripërsëriten zgjedhjet në këtë degë, gjithë në pajtim me statutin dhe rregulloren. Përndryshe kjo teknologji e stërholluar ndër vite të gjata, e ndërhyrjes nga lart të adeptëve të Kryesisë Qëndrore nëpër degët e PD (kushdo qofshin ata), jo që e deformon, por e shpartallon vullnetin e votuesit demokrat. Si ka mundësi që ende vazhdojnë këto sëmundje të hershme, pa gjetur dot shërim?

E kam parë këtë film të neveritshëm që nga viti 2006 e në vijim në shumë degë të PD-së, po marr të Dibrës, p.sh., dhe, për këto dallavere me kumbari të të deleguarve nga Kryesia e PD, që vinin dhe trazonin kazanin, ju kam informuar i shqetësuar personalisht në bazë të fakteve, asnjëherë për as edhe një grimë interes! Nuk mund të mbyllja sytë para padrejtësisë së dhunshme e të trashë... Më vonë, për të njëjtat probleme kam vënë në dijeni dhe z. Basha (gjatë periudhës 2013-1019), gjithmonë me fakte, që gjithmonë vërtetoheshin. Dhe çfarë? Kronikë e një shpartallimi të paralajmëruar... Asgjë nuk u bë! U larguan njerëzit më të sinqertë, madje u goditën, u shpallën armiq, ikën jashtë vendit me gjithë familje dhe fëmijët e tyre të pafajshëm, që prindërit i kishin rritur me frymën e lirisë së PD-së! Ata nuk dinin si t’ua shpjegonin fëmijëve, se përse po goditeshin, përse hiqeshin nga puna, nga po ajo parti e djathtë, me frymën e të cilës i kishin rritur fëmijët e tyre. Unë e kam prekur këtë dramë, e kam parë.  Ata, doktor, u përndoqën egërsisht dhe ishin intelektualë krejt të sinqertë e të vendosur, të drejtë e të pakorruptueshëm, por u larguan duke marrë me vete brengë e hidhërim. U shpallën armiq! Dhe Dega, siç dihet, degradoi - nga një fortesë e PD, erdh e u shpërfytyrua nga humbja në humbje. Monstruoze!

A duhen dëgjuar zërat kontestues? Sidomos të atyre që nuk kanë interes, përveç botëkuptimit të tyre të djathtë? Kam përshtypjen se kësaj sëmundjeje të Ndërhyrësve nga Lart, i duhet dhënë fund, tani, duke ripërsëritur rrënjësisht zgjedhjet në degën nr.2 të PD-së, Tiranë.

Adeptët e mësuar me këto lojëra të pashëndetshme, duhet të marrin një mësim të qartë. Një tarafi të hershëm e më përvojë të gjatë burokratike në kësi dallaveresh zgjedhore i intereson më shumë konformizmi i postit humbës se sa bashkimi problematik, hapja dhe rregullat demokratike!

Lëndues e fyes konspiracioni kundër znj. Irma Marku, që ka hyrë me grupin e saj shtëpi më shtëpi nëpër gjithë lagjen, që ka kaluar me grupin e saj netë të tëra poshtë ballkonit të liderit të burgosur të Partisë Demokratike. Ajo, doktor, ajo me grupin e saj, jo fituesja, jo hunda e saj sqimatare... Dhe, siç e pohojnë, një ndër akuzat e grupit të punës ndaj znj. Marku, ka qenë se ajo “e ka mbushur degën e PD nr. 2 plot me ish-të përndjekur politikë(!!)”. Nuk do ta dekonstruktojmë këtë fjali: ajo e plotëson mjaftueshëm autoportretin e akuzuesit.

Me ndjesën që ju shkruajta gjatë, sugjerimi im i vetëm mbetet ky: zgjedhjet në degën nr. 2 të PD, Tiranë, duhet të ribëhen rrënjësisht! Lakrori do ta tregojë pastaj se çfarë ka brenda petëve...

Me respekt,

Agron Tufa

Shkrimtar, azilant politik

12.01.2025

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Markus Tamushi: 16/01/2025 12:53

    O Agron Tufa ti ke plotēsisht tē drejt po ku do me dit hajduti komonist sali sheqere bajga se çfar thon njerzit. Ai ktē parti e ka Personal prandaj dhe e ka bo si hale pd ēn.

    Përgjigju
  • Silvana GJoci: 16/01/2025 12:39

    QYQJA MBAS ME SHUME SE 30 VITEVE QE NE PD KESHTU ESHTE VOTUAR HISTORIKISHT PER DEGET E PARTISE KY ZOTNIA U KUJTUA TANI...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Vendosja e parkimetrave në rrugë, shpallet fituesi për projektin pilot në Tiranë

Vendosja e parkimetrave në rrugë, shpallet fituesi për projektin pilot në Tiranë