Raporti “Eurocare”, “Drinking and Driving in Europe”, përgatirur nga Peter Anderson, tregon praktikën e deritanishme evropiane dhe amerikane, në fushën e aksidenteve rrugore, që lidhen me alkoolin. Sakaq, eksperti i pavarur i AMF-së Anesti Vako thotë për gazetën “Shqiptarja.com” se “Në një përqindje të lartë, kemi vërejtur të aksidentuar nga shkaqe alkooli apo mungesë informacioni në drejtimin e mjeteve dhe nëse shoferët e aksidentuar nuk do të kishin përdorur alkool, në ato raste që kam verifikuar, mund të them se do të ishin shmangur dhjetra humbje jetësh njerëzore”. Llogaritet që 2 për qind të 33 mijë aksidententeve 22 vitet e fundit, vijnë për këto shkaqe.
Shoferët dhe alkooli
Mesditën e 27 majit të këtij viti, një 17-vjeçar nga Sallmoneja e Durrësit, i dehur dhe pa patentë, teksa ngiste benzin e të atit, me targa DR 6165, në Xhafzataj, u përplas me një bordurë, duke shkaktuar vdekjen e 2 adoleshentëve. Në Traktatin e Mastriktit dhe Bashkimit Evropian synohet që përqendrimi i alkoolit në gjak nga 0.5g/l, që është sot, të shkojë në 0.2g/L, për shoferët rishtas, pasi këto masa mund të zvogëlojnë vdekjet me të paktën 10 për qind, duke kursyer jetën e rreth 1.000 personave, në vit. Është vlerësuar se një rritje prej 10 për qind në çmimin e pijeve alkoolike në SHBA, zvogëlon probabilitetin me 7 për qind për meshkujt dhe 8 për qind për femrat, të aksidenteve rrugore. Në SHBA, kombinimi i ndalimeve ndaj shitjes së alkoolit për personat nën moshën 21-vjeçare dhe të sanksioneve për posedim nga individë të mitur, ka sjellë uljen e aksidentimit të tyre. Mosha minimale e marrjes së patentës në Europë është 18 vjeç, ndërsa në vendet ku flitet anglisht, nganjëherë është më e ulët se 14 vjeç.
Debatet për burgun e gjobat
Ministria e Brendshme, përveç shoferëve të dehur, ka në tagër edhe drejtuesit pa patentë dhe bazuar në nenin 291 të Kodit Penal, oficerët kanë ndjekur procedurat strikte, duke burgosur të dehurit dhe ata pa patentë, për t’ua lënë në dorë gjykatave, pasi parashikohet nga gjobë deri në 6 muaj burg. Por saktësisht në këtë pikë ndërhyn raporti i Petersen, në kapitullin 5.3 të të cilit thuhet se “Dënimet të tilla si burgimi dhe gjobat, janë propozuar si efekt parandalues, i përgjithshëm, mbi ata që nuk janë dënuar ende për ngjarjet me të dëmtuar. Ndëshkimet për drejtim mjeti në gjendje të dehur, janë ulur në mënyrë tipike, ose janë ndryshuar dënimet maksimale, duke futur dënime të detyrueshme minimale. Ka dëshmi të kufizuara për efektivitetin e përgjithshëm parandalues të dënimit me burg, për reduktimin e ngjarjeve me të dëmtuar nga publiku.
Në të vërtetë, efektet e tyre mund të jenë kundërproduktive nëqoftë se sistemi gjyqësor është i mbingarkuar, ose nëqoftëse prokurorët nuk i ndjekin këto raste.” Ndërkaq, raporti përcakton se shpejtësia e dënimit është afërsia e dënimit për ngjarjen, ku më efikas mbetet pezullimi ose heqja e patentës për drejtim në gjendje të dehur, pa një seancë gjyqësore, shpejt dhe më afër në kohë me veprën aktuale. Raporti thotë se “Ka pak dëshmi se dënimet me burg apo me gjoba, kanë efekt të veçantë parandalues për shkelësit që aktualisht vuajnë dënimet. Megjithatë sanksionet me burg, janë mjet motivues për gjykatat. Gjobat s’janë mbledhur e as paguar. Gjykatat pranojnë vetëdeklarimet e të pandehurve, se s’kanë para”.
Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)