Ekonomia e Shqipërisë po rritet me ritme të qëndrueshme vlerëson Banka e Shqipërisë, me kontribut pozitiv të rritjes së punësimit, pagave, konsumit apo investimeve. Kështu thuhet në raportin e stabilitetit financiar.

Edhe performanca e sektorit bankar ka qenë pozitive përgjatë 2025-ës, dhe optimiste mbeten pritshmëritë për 2026-ën pavarësisht se janë shtuar pasiguritë të ndikuara nga lufta në Lindjen e Mesme. Si rrezik nga bankat evidentohen edhe sulmet kibernetike apo luhatjet në tregun e pronave. 

“Në vrojtimet e fundit bankat e kanë vënë theksin tek rreziqet ndërkombëtare dhe tek efekti që ato mund të sjellin në ekonominë e brendshme. Sulmet kibernetike janë një tjetër faktor rreziku”, thotë Klodion Shehu, drejtor i Stabilitetit Financiar.

Drejtori i Stabilitetit Financiar Klodion Shehu thotë se gjatë vitit të kaluar sektori bankar ka vijuar të mbështesë ekonominë me kredi, si për qytetarët ashtu edhe për të gjithë sektorët e ekonomisë.

“Kredia është rritur në terma vjetor me 13.5%, me kontribut si nga kredia në lekë dhe në valutë. Raporti i kredive me probleme ka zbritur në nivelin më të ulët në 15 vite”, thotë Klodion Shehu.

Edhe pse vlera e kredisë së dhënë është rritur, rezulton se në 6 mujorin e dytë 1 në 3 aplikime për hua është refuzuar. Referuar raportit të Stabilitetit Financiar, bankat kanë marrë gjithsej 73,749 aplikime për kredi, nga të cilat 31.6% janë refuzuar (23,304 aplikime të refuzuara). Pjesa më e madhe e refuzimeve janë për sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe për individët.

Shkak për shtimin e refuzimeve është bërë qasja më e kujdesshme e bankave në aprovimin e huave, duke shtrënguar kushtet e kreditimit, e shoqëruar me rritje të kërkesës për kolateral, por ndikim kryesor jep edhe historiku negativ që kanë pasur kredimarrësit në shlyerjen e huave.

Tek individët, rol në rritjen e kushteve kanë dhënë edhe kufizimet e caktuara nga Banka e Shqipërisë në kredinë për pasuritë e paluajtshme.