Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me raportin më të fundit të EUROSTAT, ku vendi ynë renditej i treti në Europë për aplikimet për azil të fëmijëve. Meta thotë se kjo është një fatekqësi kombëtare dhe se duhet të ndalet zbarzja e Shqipërisë nga fëmijët dhe të rinjtë.
Në fund të shkrimit të tij Meta apelon me forcë domosdoshmërinë për të shumëfishuar përpjekjet e gjithë aktorëve për t’i thënë ndal mpakjes së Shqipërisë dhe shpopullimit të saj nga fëmijët dhe të rinjtë, të cilët meritojnë mundësi dhe hapësira të reja për t'u ndjerë plotësisht të realizuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt europiane në Atdhe.
'Ndal mpakjes së Shqipërisë dhe shpopullimit të saj nga fëmijët dhe të rinjtë!
Zbrazja e Shqipërisë nga fëmijët dhe të rinjtë vijon të jetë një fenomen thellësisht shqetësues, me tendencë të rrezikshme për t’u kthyer në një fatkeqësi kombëtare.
Raporti më i fundit i EUROSTAT, na rendit të tretët në Europë për aplikimet për azil të fëmijëve, që zënë gati 34.3% të totalit të kërkesave nga ve\
ndi ynë, shifër rekord në raport me popullsinë.
Prej kohësh kam dhënë alarmin, referuar edhe konkluzioneve të organizatave të tjera prestigjioze ndërkombëtare, mbi nevojën e marrjes së masave urgjente për përmirësimin e kushteve të jetesës së fëmijëve dhe rikthimin e shpresës në Shqipëri.
Sepse edhe sipas Bankës Botërore, të paktën 100,000 fëmijë në vendin tonë, nuk e kanë të garantuar një vakt ushqimi në ditë.
Ndërsa referuar indeksit “Jashtë Hijes” të “The Economist Intelligence UNIT”, në analizën e mbi 40 vende të botës, Shqipërisë i jepet zero pikë për mekanizmat jofunksionalë të saj për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe dhuna seksuale.
Më herët, në raportin e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës është evidentuar se 41% e fëmijëve në vendin tonë, janë viktima të një forme të dhunës në shkolla.
Gjithashtu sipas “Save the Children”, pothuajse 55% e fëmijëve të moshës 12-17 vjeç nuk janë optimistë për gjetjen e një pune pas përfundimit të shkollës dhe si alternativë zgjidhje japin largimin nga Shqipëria.
Raporti “Fëmijët Mbrojnë Fëmijët”, i përgatitur nga CRCA/ECPAT Shqipëri dhe “Save the Children”, bën të ditur se 86% e fëmijëve në vend thonë se të drejtat e tyre nuk respektohen, ndërkohë që 89 % e fëmijëve të intervistuar deklarojnë se Qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm apo aspak për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Sipas GALLUP-it, 79 % e të rinjve në Shqipëri, dëshirojnë të largohen nga vendi, për shkak të varfërisë, papunësisë, përjashtimit social dhe korrupsionit.'- shkruan Meta.
Apeloj me forcë domosdoshmërinë për të shumëfishuar përpjekjet e të gjithë aktorëve për t’i thënë NDAL MPAKJES SË SHQIPËRISË DHE SHPOPULLIMIT TË SAJ NGA FËMIJËT DHE TË RINJTË, të cilët meritojnë mundësi dhe hapësira të reja për t'u ndjerë plotësisht të realizuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt europiane në Atdhe.
Duhet të bëjmë gjithçka, ashtu siç na porosit edhe Papa Françesku, që shqiponjat të qëndrojnë dhe të kthehen në folenë e tyre dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve.'- shkruan Meta.
Lajmi kryesor: