Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar sot pasqyrën ekonomike globale të prillit 2015, e cila tregon perspektiva të ndryshme mes shteteve kryesore dhe rajoneve.
Sipas raportit të FMN-së, rritja globale parashikohet të jetë 3.5% për 2015-n, në linjë me parashikimin e rishikuar të janarit. Ashtu si dhe vitin e kaluar, panorama për ekonomitë e zhvilluara po përmirësohet, ndërsa rritja në tregjet në zhvillim pritet të jetë më e ulët, duke reflektuar kryesisht perspektivën më të dobët për disa vende të mëdha në zhvillim dhe për shtetet eksportuese të naftës.

Për Shqipërinë rritja mbetet 3%
Për Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar i qëndron parashikimit që rritja do të mbetet 3% për vitin 2015, i njëjtë me pritshmëritë e janarit, por në rënie nga pasqyra ekonomike e tetorit 2014, ku në tabelat për rritjen ekonomike për Shqipërinë pritej vlera prej 3.3%. Për 2016-n rritja pritet të përshpejtohet në 4%. Edhe në afatin e gjatë, Shqipëria pritet të rritet me norma modeste, për të arritur në 4.5% në 2020, sipas tabelave të publikuara në raportin e FMN-së. PDF/Raporti i FMN
 
fmn


Qeveria
Pritshmëritë e FMN për rritje prej 3% në 2015, janë të njëjta me ato të qeverisë shqiptare. Sipas ekzekutivit shqiptar rritja ekonomike për vitin 2015 parashikohet në nivelin 3%. Motori kryesor dhe garanti kryesor i kësaj rritje do të jetë thellimi i reformave strukturore.

Sipas qeverisë, reforma e pensioneve është një reformë afatgjate dhe gjithë aksionet afatshkurtra, për thellimin, detajimin dhe kursimin e eficencës së skemës qoftë të pensioneve, qoftë të paaftësisë apo ndihmës ekonomike është domosdoshmëri jo thjesht për transparencën e asaj skeme, por sigurisht edhe për stabilitetin fiskal. E njëjta gjë ndodh edhe me reformën në energji, e cila ka dhënë rezultate të mira.

Është një reformë e cila sigurisht është afatmesme dhe duhet të theksojmë se liberalizimi i sektorit, i cili shkon deri në 2017 dhe do të garantojë uljen e ngarkesës së konsumatorëve të parregulluar le të themi nga 13% deri në 40%  në vitin 2017, ka të bëjë jo vetëm me liberalizimin e tregut, por ka të bëjë drejtpërsëdrejti dhe me garancinë ose garantimin e shëndetshmërisë fiskale, sepse siç e kemi shpjeguar në vazhdimësi, të dyja janë të lidhura si enë komunikuese deri në momentin që sektori elektroenergjetik shqiptar në 2018 të funksionojë si koorporatë.
Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)