Abuzime me çmimet, spitalet shtetërore pa ilaçe si dhe medikamente të skaduara apo pranë afatit të skadencës nëpër farmaci janë disa nga shkeljet më të mëdha që Kontrolli i Lartë i Shtetit  ka evidentuar në raportin vjetor që ka dorëzuar në Kuvend.

***

Mbi 102 mijë njësi barnash kanë dalë në treg përmes farmacive të lagjeve me afat skadence të përfunduar, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e pacientëve. Të dhënat bëhen publike në raportin vjetor të Kontrolli i Lartë i Shtetit, që i është dorëzuar kuvendit për vitin 2025. 

Në raport KLSH evidenton një auditim të vitit 2024 ndaj Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që zbulon mungesën shqetësuese të kontrollit në qarkullimin e barnave.

“Nga auditimi i të dhënave të sistemit “e-depo” për vitin 2024 u konstatuan 102,778 njësi barnash që kanë dalë nga depot farmaceutike me datë skadence të njëjtë me datën e shitjes/hyrjes në farmaci, si dhe 143,598 njësi barnash me datë skadence 1–5 ditë pas daljes nga depot”,- thuhet në raport.

Raporti evidenton gjithashtu mangësi në ndjekjen e furnizimit me barna, përfshirë vonesa, mungesa të zgjatura dhe mosrespektim të detyrimeve kontraktuale. Në disa raste janë konstatuar edhe shpërndarje të barnave spitalore në rrjetin e hapur, në kundërshtim me ligjin.

“Daljet e barnave spitalore drejt rrjetit të hapur dhe kryerja e transaksioneve me fatura zero evidentojnë mungesë kontrolli dhe rrezik për përfitime financiare të pajustifikuara nga farmacitë",- thuhet në raportin e KLSH.

Shkelje janë gjetur edhe në funksionimin e kontrollit të brendshëm dhe në mbikëqyrjen e zinxhirit të furnizimit, duke përfshirë mungesën e verifikimit të çmimeve, kontrollit fizik të faturave dhe monitorimit efektiv të qarkullimit të barnave.

Problematika të shumta janë evidentuar edhe për barnat e rimbursueshme. Raporti thekson deklarime të pasakta të inventarëve, si dhe mospërputhje mes të dhënave në sistem dhe gjendjes reale në depo dhe farmaci.

“Lista e Barnave të Rimbursueshme për vitin 2024 përfshinte barna pa çmim të miratuar dhe me dokumentacion të paplotë, përfshirë 59 barna pa konsum dhe pa kontratë me ndonjë importues, si dhe 16 barna të tjera të njoftuara për ndërprerje furnizimi, të cilat ishin përfshirë sërish në listë në kundërshtim me ligjin",- thuhet në raport.

Një shqetësim i veçantë lidhet edhe me mungesën e barnave antitumorale.

“Rezulton se nga 253 barna antitumorale të autorizuara për tregtim në Republikën e Shqipërisë, 46% nuk janë importuar në asnjë moment gjatë periudhës së auditimit, duke treguar për mungesë të mekanizmave efektivë që lidhin autorizimin me furnizimin real në treg",- thuhet në raport.

Për këtë situatë, KLSH i drejton gishtin si përgjegjëse Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, QSUT-së, FSDKSH-së dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, duke theksuar se mungesa e bashkëpunimit dhe masat e pjesshme kanë ndikuar në mosfunksionimin efektiv të sistemit.