Nga auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton se dëmi ekonomik i shkaktuar si pasojë e shkeljeve dhe parregullsive të ndryshme gjatë periudhës 2014-2017 arrin në rreth 720 milionë euro.

Kjo shifër është nxjerrë në Buletinin e tretë statistikor të 2017-ës, ku përmblidhen të gjithë auditimet e kryera përgjatë harkut kohor janar-shtator 2017. Në këtë buletin përfshihen, dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara dhe shpenzimet e kryera jo në përputhje me parimet e efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit (3E), masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, rekomandime për ndryshime apo përmirësim të legjislacionit si edhe kallëzimet penale të përcjella në Prokurori.

Në rezultatet e auditimeve të KLSH-së në pikën (a) të tij thuhet se dëmi i shkaktuar nga parregullsitë dhe shkeljet financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, kapin shumën totalet 69 milionë euro, nga e cila rekomandohen për tu dëmshpërblyer në vlerën 5,601.6 milion lekë.

Në pikën (b) të saj, thuhet: “Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 86,961 milionë lekë, afërsisht 651,3 milionë euro nga e cila: 81,244 milionë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 608,5 milionë euro dhe 5,717 milionë lekë afërsisht 42,8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve.”

Nëse do t’i marrim në total dëmet e shkaktuara kapin vlerën 720.5 milionë euro. Në pikën (c) të rezultateve të auditimit thuhet se për vitin 2016-të, “rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore është në vlerën 51,175 milion lekë ose 41% më e lartë se viti 2015”. 

raporti
(Raporti i KLSH për periudhën janar-shtator 2017)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com