Pas raportit të fundit të KLSH që nxori në pah një situatë alarmante në trajtimin e pacientëve me tumor në Shqipëri, grupi i PD ka depozituar në Kuvend kërkesën për mocion me debat. Në kërkesë thuhet se raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet sot shëndetësia, veçanërisht shërbimi onkologjik.

“Raporti i publikuar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për auditimin tematik "mbi disponibilitetin e barnave për trajtimin e sëmundjeve tumorale" evidenton një situatë tej mase të rënduar në të cilën gjendet sot shëndetësia, e në veçanti shërbimi onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza për sa i përket shërbimit terapeutik me pajisje mjeksore dhe me barna për dhjetra e mijëra pacientë.

Ndjeshmëria publike nga rastet të njëpasnjëshme me abuzime dhe keq-menazhim ndër vite të bëra publike nga investigimet mediatike, denoncime nga qytetarë të shumtë, por dhe nga raportet e institucioneve të pavarura kushtetuese sikundër KLSH, flasin qartë për nevojën urgjente për ndryshimin e situatës, e cila po agravohet nga dita në ditë”, thuhet në kërkesë.

Për situatën tek Onkologjiku, PD thotë se është një urgjencë, që kërkon reagim institucional e veprim të shpejtë.

“Raporti nxjerr në dritë të dhëna të qarta, të zhveshura nga çdo emocion apo konotacion emocional, qoftë dhe politik, ndaj si ligjvënës është detyrë e jona përtej bindjeve dhe përkatësisë politike ta lexojmë drejtë këtë raport dhe të kërkojmë llogaridhënie institucioneve përgjegjëse, në këtë drejtim Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale.

Raporti paraqet situatën reale atë që qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë tashmë kanë vite që përpiqen ta mbulojnë me propagandë boshe apo fasadë godinash disa miliardë lekë të cilat përveç korrupsionit të ndërtimit të tyre, fatkeqësisht nuk ofrojnë asgjë pacientit shqiptar”, thuhet në kërkesë.

PD përmend disa pasazhe nga raporti i KLSH-së për mungesën e barnave, përdorimin e barnave të skaduara apo mungesën e kontrolleve laboratorike.

Kërkesa zyrtare drejtuar Kuvendit të Shqipërisë është firmosur nga deputetët:
Bardh Spahia, Manjola Luku, Klit Hoti, Tritan Shehu, Erisa Xhixho, Ledina Alolli dhe Eno Bozdo.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Lajmi në përditesim....