Bizneset janë të pakënaqura me vlerësimin e ofertave që ato bëjnë kur marrin pjesë nëpër tendera, si dhe kanë kundërshtime për dokumentet që shoqërojnë këto procedura. Komisioni i Prokurimit Publik thotë se vjet janë bërë në total 1197 ankesa nga bizneset, kryesisht për vlerësimin e ofertave të tyre.

Plot 1.1 miliardë euro është vlera e tenderave të ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik gjatë vitit të kaluar. Në raportin vjetor të këtij institucioni thuhet se shqetësimi kryesor që kanë operatorët ekonomik, është vlerësimi i ofertave si dhe dokumentacionet e tenderit.

“Nga 1197 ankesa të paraqitura në total, 443 prej tyre ose rreth 37 %, janë ankesa të paraqitura për dokumentet e tenderit dhe 748 ankesa ose rreth 62.5 % e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave dhe 6 ose rreth 0.5% prej tyre janë në kategorinë tjetër”, thuhet në raport.

Nga këto ankesa 1152 prej tyre janë shqyrtuar ku në 291 raste i është kërkuar autoritetit kontraktor që të bëjë modifikimet e nevojshme për procedurën tenderuese, si dhe janë anuluar 56 gara.

Disa nga parregullsitë në garat e tenderave thuhet në raport kanë të bëjnë me faktin që kriteret e caktuara ishin të paqarta, janë caktuar kushte në kundërshtim me ligjin, vlerësimi i ofertave ka qenë i padrejtë si dhe  ka pasur parregullsi gjatë administrimit të dokumenteve për marrjen pjesë në garë.

Referuar raportit ankesat më të mëdha janë regjistruar për procedurat që kanë të bëjnë me blerje mallrash, ndjekur më pas nga kontratat për shërbime dhe më tej punët publike, (rikonstruksion, ndërtim etj).

“Shihet se numri më i lartë i ankesave ka të bëjë me kategorinë e mallrave, ku u regjistruan 676 ose 56.5 % ankesa, vijon me kategorinë shërbime me një numër prej 404 ose 33.7 % ankesash, punë publike 117 ose 9.8 % ankesa dhe leje minerare 0 ose 0 % ankesa”, thuhet në raport.

Ndërsa institucionet më problematike në tendera që kanë edhe numrin më të lartë të procedurave të ankimuara janë AKSHI me 43 procedura, QSUT 25 DHE Albpetrol me 25 procedura të ankimuara.

Komisioni i Prokurimit Publik thotë se 73 vendimet e marra vjet nga ata janë dërguar në Gjykatë, ku 4 janë pranuar plotësisht, 7 pranuar pjesërisht, 19 padi janë rrëzuar, 4 janë pushuar dhe pjesa tjetër janë në proces.