​Marrëdhënia e shtetit shqiptar me diasporën ka hyrë në një cikël vicioz që përsëritet sa herë që fryjnë erërat e zgjedhjeve. Në fjalorin e bukur të politikës, diaspora cilësohet si "pasuria më e madhe e kombit", por në realitetin institucional, ajo mbetet një subjekt i keqpërdorur për fasadë. E ftuar në tryeza festash për t’i dhënë ngjyra patriotike imazhit të pushtetit, por e përjashtuar nga tryezat ku merren vendimet e mëdha, diaspora sot gjendet përballë një zgjedhjeje: të vazhdojë të pranojë rolin e dekorit, apo të kërkojë statusin e partnerit strategjik.

​Ky raport duhet të jetë konkret, përfshirës dhe, mbi të gjitha, i ndërtuar mbi respektin reciprok. Përdorimi për fasadë nga qeveritë apo keqpërdorimi nga forcat politike në kohë fushatash nuk krijon një atmosferë vlerësimi, por prodhon mosbesim dhe indiferentizëm. Për dekada me radhë, partitë politike kanë vazhduar ta konsiderojnë diasporën thjesht si një nevojë në kohë të vështira për mbështetje politike apo për vota. Sapo nevoja e halli i politikës kalon, këta qytetarë braktisen përsëri në habitatin e tyre, duke u konsideruar sërish si "të largët".

Ky trajtim ka krijuar një krizë të thellë besimi; brezat e rinj të emigrantëve, të rritur me standardet e meritokracisë në Perëndim, nuk mund të ushqehen më me retorikë romantike, por kërkojnë transparencë dhe efikasitet.

​Shqipëria ka nevojë urgjente për një projekt serioz kombëtar të përfshirjes së diasporës në proceset e rëndësishme të integrimit. Por, ky integrim nuk mund të jetë i sinqertë pa i dhënë asaj të drejtën e përfaqësimit aktiv në jetën politike. Diasporë me përfaqësim do të thotë edhe diasporë me përgjegjësi. Kur bashkatdhetarët tanë bëhen pjesë e vendimmarrjes, ata nuk janë më thjesht vëzhgues kritikë nga larg, por marrin mbi supe peshën e zhvillimit të vendit. Kjo do të thotë respekt reciprok dhe marrje në konsideratë për potencialet reale intelektuale, ekonomike dhe diplomatike që ky grup disponon.

​Është koha që politika të kuptojë se diaspora nuk mund të jetë më një "ndihmë emergjence" apo një dekor fushate. Duhet të kalojmë nga "festat e sinqerta" te mekanizmat konkretë ku kapitali i tyre intelektual vihet në shërbim të shtetformimit. Shqipëria nuk e ka luksin të mbajë gjysmën e trurit dhe të zemrës së saj jashtë proceseve integruese. Nëse duam që diaspora të mos mbetet thjesht një statistikë dërgesash monetare, duhet të kalojmë nga "fasada" te "përfshirja reale". Çdo vonesë tjetër vetëm sa do të thellojë hendekun, duke e kthyer indiferentizmin në një ndarje të pakthyeshme mes atdheut dhe bijve të tij.