Shqipëria u vlerësua si një shembull i bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, gjatë takimit që kryetari i Kuvendit Niko Peleshi pati me përfaqësuesit e Urdhrit Sovran të Maltës në Tiranë. Delegacioni udhëhiqej nga Princi dhe Mjeshtrin e Madh të Urdhrit, Fra’ John Dunlap. Fokusi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes palëve.

Në këtë aspekt, Peleshi vlerësoi mbështetjen që Urdhri i Maltës ka dhënë në Shqipëri, sidomos në fusha si shëndetësia, arsimi, ndihma sociale dhe përballimi i emergjencave.

Gjatë bisedës u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë si arsimi, kultura dhe programet humanitare, me synimin për të rritur kontributin e përbashkët.

Peleshi theksoi se harmonia ndërfetare është një vlerë e trashëguar në Shqipëri dhe një element i rëndësishëm për stabilitetin, ndërsa solli në vëmendje edhe figurën e Nënë Terezës si simbol të këtyre vlerave.

Palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin, përfshirë edhe zgjerimin e aktivitetit të Malteser International në Shqipëri.

Në takim u përmend edhe marrëveshja e firmosur në shkurt mes Urdhrit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, që lidhet me mbrojtjen civile dhe mjekësinë ushtarake, si dhe bashkëpunimi në menaxhimin e emergjencave dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.

Në fund, Peleshi theksoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon dhe mbështetjen për rrugën e vendit drejt Bashkimit Europian.


Lajmi kryesor:

Vizita e Princit të Maltës në Shqipëri, pritet nga presidenti Begaj


U.D/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 17 Mars, 11:47

    Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit, si e vlerësoni?