Raporti i ministrit Naço: Ja shkeljet
e Prokurorisë përgjatë vitit 2014

Kontrollet e zhvilluara nga Ministria e Drejtësisë në Prokurori përgjatë vitit 2014 është bërë objekt debatesh në Komisionin e Ligjeve në Kuvend. Ministri i Drejtësisë fajësoi prokurorinë lidhur me zbatimin e politikave penale të iniciura nga qeveria.

Gjatë raportimit të tij në Komision, ministri Nasip Naço bëri publike të dhënat e gjetura gjatë tre kontrolleve të ushtruara në Sarandë, Durrës dhe Shkodër. Megjithatë kontrollet e zhvilluara nga Ministria e Drejtësisë janë cilësuar si të pamjaftueshme nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj dhe deputetit Pandeli Majko. Xhafaj e vuri theksin te drejta që i njeh ligji minisrit Naço për të inspektuar në gjykata apo për të inspektuar në prokurori. 

"Tani 304 ankesa janë drejtuar për mosveprim apo veprime të gabuara në prokurori dhe gjykatë, avokati i popullit. Ju gjatë një viti keni bërë një kontroll mbi bazë ankese. Sigurisht do të kërkoja edhe një reflektim tuajin si institucion i ministrisë së drejtësisë, patur parasysh që aktualisht të hidhni këtë raportim edhe me disa identifikime apo evidentime që ka bërë dhe progres raporti i BE ku janë identifikuar dhe problemi i sistemit të drejtësisë është trajtuar si më problematiku”, u shpreh Majko. Ndërkohë që ministri Naço u shpreh se nga kontrollet e kryera janë bërë edhe rekomandimet përkatëse. 

"Kontrolli për ne ka qenë i plotë, janë bërë rekomandimet përkatëse, i takon prokurorit të përgjithshëm kur të vijë javën tjetër në mos gaboj dhe të kthejë përgjigje në lidhje me rekomandimet që i ka treguar ministri drejtësisë dhe këndvështrimin e vet në lidhje me këto rekomandime”, deklaroi Naço. Ministri gjatë leximit të raportit u ndal te probleme të rënda të gjetura gjatë kontrolleve. “Mosfillim procedimi, ndërkohë që kallëzohen veprime korruptive të personave konkretë, pa u kryer asnjë verifikim apo veprim proaktiv nga prokurori. Mosfillim procedimi, për shkak se kallëzimi nuk është paraqitur, ndërkohë që ky shkak nuk përfshihet në rrethanat që nuk lejojnë fillimin e procedimit”, tha ministri Naço.

Raporti
Sipas raportit të ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço të cilin “Shqiptarja.com” e zotëron, jepen detaje mbi kontrollet e kryera në Prokurorunë e Durrësit, Sarandës dhe atë të Shkodrës.Nëpërmjet 3 kontrolleve të ushtruara është inspektuar veprimtaria e 2 prokurorive të shkallës së parë dhe 1 prokurorie të apelit. Në 3 kontrollet e ushtruaraështë inspektuar veprimtaria e 9 prokurorëve në shkallën e parë dhe 4 prokurorëve në apel.Janë kontrolluar 1173 procedime penale në 2 prokurori të shkallës së parë dhe 1 prokurori apeli.

Procedimet penale të kontrolluara kanë qenë të gjitha me hetime paraprake të përfunduara me vendim mosfillimi, pushimi, dërgimi në gjykim. Inspektimet e zhvilluara në periudhën e raportimit kanë mbuluar përgjithësisht procedimet penale të 2 viteve të fundit.Janë kontrolluar 1173 procedime penalenga të cilat, 371 përfaqësime në gjykim; 119 procedime penale të përfunduara me vendim pushimi dhe 681 kallëzime penale të mosfilluara. Janë kontrolluar 13 prokurorë, nga të cilët janë konstatuar me shkelje 7 prej tyre. Në 1 rast Ministri i Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 6 prokurorë,veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës.

Deklaratat/Xhafaj
Ky është një detyrim që e njeh ligji dhe askush s’mund ta ver në diskutim të drejtën e ministrit dhe të drejtën e inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë për Gjykata apo Prokurori

Majko
Ka pasur vetëmë një kontroll mbi bazë ankese, dmth një ankesa ka pasur dhe një kontroll ke bërë. Avokati i Popullit në raportin e tij ka trajtuar 304 ankesa të adresuara nga qytetarë

Naço
Bazuar në raportin e kontrollit të ministrit të Drejtësisë, i ka rekomanduar prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 6 prokurorë për shkelje të detyrës.


 
Shkrimi u publikua sot (13.05.2015) në Shqiptarja.com versioni print
 
Redaksia Online
(k.b/shqiptarja.com) 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen