1759407816_kqz.jpg

Në raportin final të OSBE-ODHIR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit thotë se KQZ e menaxhoi procesin në mënyrë transparente. Në raport po ashtu vlerësohet se procesi i votimit nga jashtë u menaxhua mirë pavarësisht disa vështirësive organizative.

“Administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Votimi jashtë vendit, i futur për herë të parë në këto zgjedhje, u administrua mirë, pavarësisht marrëveshjes politike të vonuar dhe miratimit të saj në fazë të fundit, si dhe disa vështirësive organizative”, thuhet në raport.

Po ashtu raporti nënvizon se “partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë për të.”

“U raportuan gjithashtu shumë raste presioni mbi votuesit, veçanërisht mbi punonjësit publikë. Për më tepër, legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij i ngushtë nga administrata zgjedhore nuk parandaluan praktikat abuzuese. Përqendrimi i pronësisë mediatike, që cënon pluralizmin e burimeve të informacionit, së bashku me autocensurën e gazetarëve dhe dominimin e mbulimit mediatik nga dy partitë më të mëdha, kufizuan mundësinë e votuesve për të marrë një vendim të informuar. Përdorimi aktiv i rrjeteve sociale nga subjektet politike amplifikoi gjuhën e ashpër përplasëse dhe asnjë autoritet nuk ishte caktuar për të identifikuar përmbajtje manipuluese apo të dëmshme. Mekanizmi i ri i bashkërendimit ndërinstitucional për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve zgjedhore përbën një zhvillim pozitiv, por kërkon ndjekje të mëtejshme për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme mbi parregullsitë zgjedhore. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe e organizuar mirë, por u vu re një mungesë e shpeshtë respektimi e procedurave dhe u shënua nga disa incidente frikësimi apo nxitjeje të votuesve, si dhe nga disa mangësi procedurale dhe të transparencës gjatë numërimit të votave”, thuhet në raport.


Lajmi kryesor:

OSBE-ODIHR ‘skaner’ zgjedhjeve të 11 majit: Konkurruese, por mjedisi i polarizuar! Garuesit s’kishin kushte të barabarta loje! Urgjent Reformën Zgjedhore