Në Komisionin e Ligjeve, mazhoranca u vu përballë akuzave të opozitës, e cila e lexon raportin e ODIHR për zgjedhjet e 11 majit provë të farsës elektorale. Socialistët nga ana tjetër, fokusin thonë se e përqendrojnë tek rekomandimet e misionit të ODIHR, për të cilat do bëhet debat në komisionin për reformën zgjedhore
Nën nxitjen e deputetëve të opozitës, socialistët komentuan për herë të parë gjetjet e misionit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.
Pakica parlamentare tha se raporti i të enjtes, konfirmoi pretendimet e tyre, se nuk pati zgjedhje demokratike, por u zhvillua një farsë elektorale.
“Një raport alarmant që vendos dorën në plagë dhe për më tepër që konstaton në shumicën e anëtarëve të këtij komisioni, si shumica e këtij Kuvendi, nuk janë produkt i gjetjeve të lira dhe të ndershme, por produkt i një procesi farsë elektoral gjithmonë sipas një arbitri të pavarur si OSBE/ODIHR”, tha Tedi Bushi.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve u përqendrua tek rekomandimet duke kërkuar bashkëpunim për bërjen e detyrave që kërkon ODIHR.
“Siç ka edhe kritika dhe secila palë kur vjen te vlerësimet e sheh në këndvështrimin e vet. Mazhoranca ka një vlerësim të vetin, dhe opozita ka një vlerësim të vetin, por ka rekomandime. Tek rekomandimet, shumë shpejt Kuvendi e ka në axhendë ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, që ngrihet sa herë del një raport i OSBE/ODHIR për zgjedhjet. Palët politike i kanë të gjitha mundësitë që t’i adresojnë siç duhet rekomandimet”, tha Ulsi Manja.
ODIHR la 25 rekomandime, ku kërkesa fillestare është që të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, që të depolitizojë komisionet zgjedhore, dhe të krijojë pengesa e penalizime për qeverinë që të mos përdorë shtetin në fushatë.
Komente












