Në raportin e Partisë Demokratike përmes së cilit kërkohet heqja e imunitetit për Belinda Ballukun, thuhet se plotësohet kushti ligjor se ndaj saj ekziston një procedim penal i rregullt nga pikëpamja e parimit të ligjshmërisë. Duke publikuar citime nga qëndrimet e dy prokurorëve, por edhe vetë të avokatit të Ballukut, Ardian Kalia, PD thotë në raportin e saj se nuk ka arsye të besohet se akuzat kundër deputetit në fjalë janë të motivuara politikisht". Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, prokurori Dritan Prençi ka deklaruar se kur Balluku është njohur me akuzën nuk ka ngritur pretendime për prapavijë politike, qëndrim i mbajtur edhe nga avokati.

Pjesë nga raporti i PD

Bazuar në standardin e Komisionit të Venecias, sipas të cilit: “Komisioni i Venecias, në përgjithësi, konsideron se duhet të ketë një prezumim bazik që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet në të cilat nuk ka arsye të besohet se akuzat kundër deputetit në fjalë janë të motivuara politikisht". nga ana e anëtarëve të Këshillit, u pyet organi i prokurorisë dhe avokatët e deputetes Balluku, nëse ekziston ndonjë e dhënë që akuzat ndaj deputetes janë të motivuara politikisht.

Prokurori Dritan Prenci: Shtetasja Belinda Balluku, kur është njoftur me akuzën, për faktin penal të parë, por edhe e dyshuar për fakte penale të tjera është njohur edhe me një pjesë të akteve, për të cilat është bërë me dije akti i njoftimit të akuzës, që e lejonte edhe ligji për njohjen me ato akte, përderisa i ishte njoftuar akuza, ka marrë edhe një pjesë të këtyre akteve dhe nuk ka pasur asnjë pretendim të tillë të ngritur, qoftë përpara organit procedues, prokurorisë, qoftë përpara gjykatës, kur ka vijuar me pyetjen nga ana e gjykatës. Pra, nuk kemi një pretendim të tillë.

Avokati Ardian Kalia: Sikurse e relatova që në fillim të prapësimeve tona ose në qëndrimin me shkrim ndaj kërkesës së prokurorisë, nuk përmenda në asnjë rresht një arsye të kësaj natyre."

Prokurorja Dorina Bejko ka deklaruar se procedimi penal është i bazuar në prova dhe s’ka asnjë prapavijë politike.

Dorina Bejko: I nderuar deputet, kërkesa e prokurorisë drejtuar këtij Këshilli të nderuar sot nuk ka në mënyrë absolute asnjë prapavijë dhe sfond politik. Pra, ne kemi një procedim penal, i regjistruar në bazë të disa fakteve penale; kemi një dyshim të arsyeshëm bazuar në prova, që tashmë e ka kaluar edhe nivelin gjyqësor në apel për ta mbështetur dhe për ta justifikuar atë, dhe kërkesa jonë për heqjen e imunitetit për zonjën Balluku nuk lidhet fare me veprimtarinë e saj si deputete. Pra, ne i kemi atribuuar fakte penale dhe akuzë për veprime që ajo ka ndërmarrë jo si deputete, por si ministre apo në detyrën që ajo ka si funksion ekzekutiv, në asnjë mënyrë në lidhje me ato që i garanton neni 73 për sa i përket mendimit dhe lirisë së shprehjes së saj si deputete. Pra, janë veprimet e saj të kundërligjshme në një veprimtari tjetër jashtë asaj të deputetit.


Lajmi kryesor:

PD nxjerr raportin/ Kërkesa për arrestim, SPAK: Drejtorët që ka emëruar Balluku kanë penguar hetimet, ARRSH s’na ka dorëzuar dokumentet në kohë