Për të dytën ditë radhazi, Sali Berisha e tundi si flamur fitoreje të përkohshme raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian mbi Shqipërinë.
Kryedemokrati tha në mbledhjen e grupit të PD se në raport janë marrë parasysh kritikat që opozita ka bërë brenda dhe jashtë vendit mbi qeverinë.
“Edi Rama ka tre muaj që akuzon opozitën se bën denoncime në Bruksel. Duhet të ndjehemi krenarë se kemi mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë nga një armik i shpërfytyruar i tyre, nga një armik i egër i shqiptarëve, i demokracisë. Nga një njeri, që ka sjellë moral të qeverisjes, moralin e etërve të tij vrastarë”, tha Berisha.
Belinda Ballukun, edhe pse nuk përmendet me emër në raport, Berisha e gjen në çdo rresht.
“Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian rikujton se imuniteti parlamentar është pjesë e kornizës së duhur kushtetuese për të siguruar funksionimin e institucioneve demokratike. Lubi Balluku është në çdo rresht. Po ta përkthesh në shqip kjo është Lubia Rama-Rama Lubia”, vijoi Berisha.
Duke pranuar se raporti i kërkon të gjitha palëve të lënë drejtësinë të bëjë e lirë punën e saj, Berisha zotohet të mos pranojë të bashkojë votën me PS për të ndryshuar organet e drejtësisë së re.
“Nuk ndërmarrim asnjë veprim për të bashkuar votën me Ramën për të ndryshuar organet e drejtësisë”, theksoi ai.
Berisha sulmoi sërish median, duke thënë se marrin favore nga Edi Rama ndaj kritikojnë opozitën:
“Mafiozë në favor të Ramës. Pronarët mafiozë të përgatiten mirë. Kjo është një betejë në emër të interesit publik”, tha Berisha.
Me protestat që sa vijnë e rrudhen, Sali Berisha u ka kërkuar më shumë angazhim deputetëve demokratë. Në mbledhjen e grupit, Berisha u tha deputetëve që çdo minutë duhet t’ia kushtojnë “përgatitjes së kryengritjes paqësore të 8 majit”.
“Jemi në prag të 8 majit, një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për opozitën shqiptare dhe shqiptarët. Ndaj dhe njëherë në mënyrën më të vendosur u bëj thirrje që çdo minutë, çdo orë t’ia kushtojmë përgatitjes së këtij akti të kryengritjes paqësore të 8 majit, si mesazhi më i rëndësishëm që ne u përcjellim shqiptarëve në kushtet kur përpiqen me çdo mjetet t’i dekurajojnë. Përpiqen me të gjitha mjetet të mbjellin terror në grahmat e fundit. Të dëshmojmë se ne nuk pranojmë kurrë Edi Ramën, qeverinë e tij si të ligjshme, nuk ka asnjë legjitimitet për shkak të zgjedhjeve që ka rrëmbyer, për shkak të vjedhjeve me të cilat është kapur. Dhe, të provojmë se ne jemi zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve dhe jemi forca kryesore integruese, forca kryesore që punojmë për të ardhmen e këtij vendi”, tha Berisha.
Komente











