Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, priti në Kryesinë e Kuvendit ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi Raportin e Progresit 2026 për Shqipërinë.

Raporti pasqyron ecurinë e reformave dhe përparimin e vendit në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke evidentuar arritjet, sfidat dhe prioritetet që kërkojnë angazhim të mëtejshëm institucional.

Sipas vlerësimeve të raportit, Shqipëria ka shënuar përparim në disa fusha kyçe të integrimit europian, ku spikat hapja e të gjashtë grupkapitujve të negociatave, që përfshijnë 33 kapituj, si dhe mbyllja e përkohshme e katër prej tyre.

Raporti i progresit është evidentuar edhe në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen ekonomike, uljen e borxhit publik, transformimin digjital, energjinë, arsimin, shkencën dhe inovacionin.

Raporti vlerëson gjithashtu përputhshmërinë e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe mbështetjen financiare të përfituar përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Pas marrjes së raportit, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi se institucioni që ai drejton do t'i shqyrtojë me përgjegjësi vlerësimet dhe rekomandimet, duke vijuar punën për përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane dhe forcimin e mbikëqyrjes parlamentare.

Kuvendi i Shqipërisë pritet të ketë një rol të rëndësishëm në përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara në raport, në funksion të avancimit të reformave dhe procesit të integrimit.

Objektivi strategjik i Shqipërisë mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian, me synimin për përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.


Lajmi kryesor:

Progresraporti i KE, Rama: Moment historik, historia s’do na e falte një dështim! Ambasadorja e BE mesazh në shqip: Keni ecur para