Raporti vjetor i Prokurorisë, që i është përcjellë Kuvendit, ka specifikuar edhe rastet e ndjekjeve penale gjatë 2015-ës, për vjedhësit e energjisë. Sipas këtij dokumenti, grupi i veprave penale për këtë çështje, përbën 16,5 %, të totalit të procedimeve të regjistruara.
 
“Në analizë të të dhënave për të pandehurit e regjistruar për këtë vepër penale, mund të nxjerrim si konkluzion se faktorët kriminogjenë që ndikojnë në kryerjen e saj kanë të bëjnë kryesisht me nivelin e papunësisë, ku pjesa më e madhe e të pandehurve 62,5 % rezulton e papunë dhe 36,5 % të punësuar në sektor privat”, thuhet në analizën e prokurorisë për procedimet penale që kanë të bëjnë me vjedhjen e energjisë.
 
Nga trajtimi i rasteve prokuroria ka vënë në dukje se personat e marrë si pandehur për vjedhjen e energjisë  në 54 % të rasteve rezultojnë me arsim nëntëvjeçar dhe me arsim të lartë janë vetëm 4 %. “Nisur nga sa më sipër organi i prokurorisë ka qenë i kujdesshëm në politikën e tij të dënimit duke vlerësuar objektivisht faktet, provat e rrethanat e çdo çështjeje. Nga të dhënat lidhur me kërkesat e prokurorit për caktimin e dënimit rezulton se, 55 % të tyre e përbëjnë kërkesat për dënim me burg”- referohet në raport.
 
Vërshimi i procedimeve penale për vjedhje energjie gjatë vitit që shkoi ka lidhje me një aksion të përqendruar që ndërmori Kompania e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike(OSHEE) në bashkëpunim me policinë e rendit me qëllim reduktimin e humbjeve në rrjet.

Redaksia Online
Shqiptarja.com