Raporti i SHBA-së: Shqipëria me korrupsion, vend tranzit për drogat e forta, por drejtësia e re trajektore pozitive

Departamenti amerikan i Shtetit i dorëzoi të enjten Kongresit raportin vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve.

Në pjesën për Shqipërinë, DASH thotë se ky vend është njëkohësisht burim i kanabisit dhe, gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroinën.

Në këtë raport që mbulon vitin 2018, Departamenti i Shtetit thotë se tranziti i kanabisit si dhe i drogave të forta komandohet kryesisht nga elementë të krimit të organizuar që transferojnë droga të paligjshme nga vendet burim për në tregjet evropiane.

Vëllimi i konfiskimeve të drogës dhe arrestimet e lidhura me drogën në vitin 2018, thuhet në raport, ishin me rëndësi, të nxitura kryesisht nga bashkëpunimi i organeve ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë, presioni ndërkombëtar në rritje dhe përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Europian.

Sipas raportit, roli i Shqipërisë si burim apo treg për droga të paligjshme përtej kanabisit është i vogël, por ka pasur një rritje në konfiskimet e kokainës që kalon nëpër Shqipëri për në Europë, përveç zbulimit të laboratorëve të përpunimit të heroinës dhe kokainës në Shqipërinë veriore dhe qendrore. “Grupet kriminale shqiptare e trafikojnë kokainën dhe heroinën drejt tregjeve evropiane nga vendet burimore në Amerikën e Jugut dhe Azi.”

Në raport thuhet se korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotikëve.

Korrupsioni zyrtar, thuhet aty, është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar.

Sipas raportit, përpjekjet për të çrrënjosur kanabisin dhe ndjekur penalisht kultivuesit e tij kanë qenë të gjera, por jo kudo njëlloj, dhe ndërhyrja në infrastrukturën e trafikimit të drogës që është krijuar gjatë dy dekadave përbën një sfidë.

Raporti thotë se shkalla e lartë e papunësisë dhe sundimi i dobët i ligjit kanë krijuar një ambient ideal për grupet e krimit të organizuar që shkaktojnë problemin e kontrollit të drogës në Shqipëri.

PASTRIMI I PARAVE

Në pjesën e raportit për pastrimin e parave, Departamenti i Shtetit thotë se gjatë vititt 2018 qeveria e Shqipërisë nuk bëri përparim të rëndësishëm për parandalimin e pastrimit të parave dhe krimeve financiare. Si shkak për këtë, raporti e ve gishtin te korrupsioni, rritja e rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucionet e dobëta ligjore dhe qeveritare.

Në raport thuhet se ekonomia e vendit operon në masë të madhe me cash dhe në mënyrë informale, me hyrje të konsiderueshme të parasë nga jashtë në formë të dërgesave të emigrantëve. Krimet që gjenerojnë më shumë para në Shqipëri janë trafikimi i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda, sipas DASH.

Elementë të tjerë me rëndësi në këtë aspekt, sipas raportit, janë falsifikimi, kontrabanda e armëve dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Shqipëria, thuhet në raport, shërben si bazë operacionesh për grupet e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.

Reformat e fundit në drejtësi, verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion dhe për lidhjet me krimin e organizuar si dhe krijimi i një task-force policore që synon aktivitetet e krimit të organizuar, thuhet në raport, kanë krijuar një trajektore pozitive që Shqipëria të trajtojë çështjen e pastrimit të parave dhe të krimeve financiare.

Megjithatë, përfundon raporti i DASH, korrupsioni i përhapur përbën një sfidë për zgjidhjen e tyre.

Raporti vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve, i kërkuar nga Kongresi dhe i ndarë në dy vëllime, vlerëson përpjekjet e qeverive të huaja për të reduktuar prodhimin, trafikimin dhe përdorimin ilegal të drogës, si dhe punën e tyre për të luftuar pastrimin e parave që lidhen me trafikimin e drogës.

Raporti nisi të botohej në vitin 1986 dhe publikimi i tanishëm mbulon vitin kalendarik 2018./ VOA

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim