Raporti i DASH-it/ Opozita sulmon Ramën: Shkatërrimtar! Shqipëria po shkon zi e më zi

Sot u publikua raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku ndër të tjera theksonte se Shqipëria është njëkohësisht burim i kanabisit dhe, gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroinën. Pas daljes së raportit, reagimet kanë qentë të shumta nga opozita, PD dhe LSI-ja që kanë lëshuar akuza të forta në drejtim të qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Deklarata e Lulzim Bashës
Të shikojmë raportin e sotëm të DASH. Është një raport shkatërrimtar për Shqipërinë për gjendjen e krimit, të drogës, të pastrimit të parasë, të korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes, të kapjes së shtetit. Natyrisht me siguri kryeministrit do thotë që janë kadrinjtë e DASH që e bëjnë këtë punë, sepse nuk presim përgjigje thelbësore aq sa ka dhënë përgjigje thelbësore në ato raste të investigimit apo të ngritjes së problemeve nga media, aq presim që të japë përgjigje sot qeveria

Deklarata e Enkelejd Alibeajt
Raporti i DASH e klasifikon Shqipërinë “një vend tranziti në rritje për kokainën dhe heroinën, që komandohet gjerësisht nga elementë të krimit të organizuar”. Sipas raportit, Shqipëria mbetet në rrezik domethënës për pastrimin e parave, për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe institucioneve të dobëta qeverisëse dhe ligjore. Që Shqipëria të mos shërbejë si bazë për veprimtarinë e organizatave kriminale rajonale, siç thekson Raporti i DASH, është e domosdoshme që të largohet përgjegjësi i kësaj situate.  Zgjidhja e vetme e mbetur është vetëm shembja e domosdoshme e pushtetit të kriminalizuar të Edi Ramës, si burimi kryesor i kësaj pasqyre fatkeqe ku e ka zhytur Shqipërinë sot.

Deklarata e Petrit Vasilit
Raporti i DASH demaskon shtetin e krimit,trafikut te droges dhe parave te pista te Edi Rames. Raporti i Departamentit Amerikan te Shtetit demaskon qarte greminen ku ka futur vendin Edi Rama. Trekendeshi krim i organizuar,trafik droge dhe pastrim parash keto jane kornizat e qeverise se kriminalizuar te Edi Rames qe ka kapur shtetin. Asnje shqiptar nuk pret më,qe ky armik i betuar i tyre te jete zgjidhja e tyre por vetem shkaterrim i perditshem i tyre. Me Edi Ramen Shqiperia po shkon zi e me zi.

E gjithe narkoqeverisja me Shqiperi kalon nga nje hallke kriminale tek tjetra ku korrupsioni qeveritar dhe grabitja e miliarda euro nga qeveritaret eshte thelbi shkaterrimtar qe iidh te gjitha. Te nderuar miq lexojeni ju vete cfare thote Raporti i Departamentit Amerikan te Shtetit dhe nxirni vete perfundimet tuaja per kete situate shperthyese dhe pa shprese ku ndodhet vendi me kete kryeminister.

Deklarata e Luan Ramës
Më konkretisht është paradoksale, por që në fakt është e vërtetë, që edhe raporti i fundit i  Departamentit Amerikan të Shtetit, vazhdon ta ketë Shqipërinë në qendër të fokusit për një mori aktivitetesh kriminale.  Ajo çfarë është për t’u evidentuar nga ky raport, ka të bëjë me faktin që në të thuhet se “korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes, e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotrafikëve”. Raporti evidenton gjithashtu se “korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndërshkuar”. Ky përcaktim evidenton edhe njëherë, pandërshkueshmërinë si një nga problemet më të mëdha që ka sistemi ynë i organizimit shtetëror, si një nga problemet më të mëdha që ka shoqëria shqiptare. Raporti evidenton gjithashtu, të njëjtat probleme që ka evidentuar edhe më parë dhe vë theksin edhe tek pastrimit të parave, pasi “gjatë vitit 2018 qeveria e Shqipërisë nuk bëri përparim të rëndësishëm për parandalimin e pastrimit ta parave dhe të krimit financiar”.

Pa dashur të marr dhe të lexoj paragraf më paragraf atë që evidenton raporti, është për të ardhur keq, madje është e turpshme që Shqipëria të vazhdojë të jetë në faqet e këtij raporti, vendi i akuzuar, përsa i përket trafikut të lëndëve narkotike, përsa i përket pastrimit të parave, përsa i përket korrupsionit dhe përsa i përket rolit të saj si një vend ndërmjetës për trafikun e drogërave të forta, e për krimin e organizuar.

Prandaj është imperative, është urgjente, është alarmante që shkaktarët e këtij realiteti të mbajnë përgjegjësi, që ata që e kanë stimuluar dhe e kanë ushqyer këtë realitet, që e vë Shqipërinë nën akuzë, të përgjigjen, sepse nuk mund të vazhdohet edhe të jesh vend anëtar i NATO-s, edhe të jesh portë e kalimit të trafiqeve të drogërave të forta; edhe të jesh vend anëtar i NATO-s, edhe të jesh vend me korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisjes; edhe të jesh vend anëtar i NATO-s, edhe të jesh vend ku korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe nxit një mjedis ku trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndërshkuar. Jashtë demagogjisë, jashtë fasadës nuk mund të mos themi që përgjegjësia kryesore për këtë realitet kriminal, bie mbi qeverinë aktuale. Në fund të fundit, raportet e saj me krimin dhe fakti që ajo është produkt i një veprimtarie kriminale që lidhet edhe me zgjedhjet e vitit 2017, nuk kanë tregues tjetër përveç  këtyre treguesve të rëndë, akuzë e drejtpërdrejtë që vjen nga raporti më i fundit i DASH.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë