Raporti i Transparency International: Shqipëria pa përmirësim, vetëm 1 pikë rritje në indeksin e korrupsionit

Raporti i Transparency International: Shqipëria pa përmirësim, vetëm 1 pikë rritje në indeksin e korrupsionit

Foto ilustruese

Indeksi rendit 180 shtete dhe territore sipas perceptimit të nivelit të korrupsionit në sektorin publik, sipas mendimit të ekspertëve dhe njerëzve të biznesit. Ai mbështetet në 13 burime të pavarura të dhënash, duke përdorur shkallëzimin nga zero në 100 pikë; zero tregon vende shumë të korruptuara, ndërsa 100 pikë - vende me më pak korrupsion.

Shqipëria

Shqipëria ka përparuar me 1 pikë, me 36 nga 35 pikë vitin e kaluar. Ajo renditet në vendin e 101, nga 183 shtete që vlerësohen në Raportin e “Transparency International”, por Lidija Prokic, Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Transparency International”, thotë se “duke qenë ndryshim i vogël, ne e konsiderojmë atë vërtet si shenjë mospërparimi”.

“Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku po shohim këtë ngecje në vend. Një situatë pothuajse të ngjashme kemi dhe në Mal të Zi, ndonëse atje numri i pikëve është pak më i lartë. Gjithsesi, ajo që do të doja të nënvizoja dhe që ka shumë rëndësi është, se Ballkani Perëndimor si rajon dhe vendet brenda tij po tregojnë shumë pak përparim gjatë këtyre viteve. Madje dhe kur ka përparim, nëse ndodh një gjë e tillë, ai nuk është i qëndrueshëm”, thotë ajo.

Renditja e Shqipërisë në raportin e Transparency International

Shqipëria ka të njëjtën sasi pikësh me Serbinë, Turqinë Ekuadorin, Kazakistanin, Panamanë, Perunë, Sri Lankën dhe Tajlandën.

Kosova ka përparuar me 2 pikë, duke marrë 41 nga 39 një vit më parë. Përmirësim me 1 pikë shënon dhe Maqedonia e Veriut, me 40 pikë. Edhe pse ka humbur 1 pikë, Mali i Zi renditet më mirë ndër vendet e rajonit, me 45 pikë.

Sipas të dhënave të Transparency International për vitet 2012 – 2022, nivelin më të lartë të korrupsionit Shqipëria e regjistroi në vitin 2013, me 31 pikë, ndërsa vlerësimin më të lartë e pati në vitin 2016 me 39 pikë.

Në 5 vitet e fundit, Shqipëria nuk ka shënuar ndonjë përparim duke u luhatur vazhdimisht mes 36 dhe 35 pikësh.

Nivele të pandryshuara të korrupsionit për të 11-in vit radhazi

Mesatarja globale e korrupsionit 2022 mbeti e pandryshuar për të 11-in vit rradhazi me 43 pikë dhe mbi 2/3 e vendeve të botës kanë probleme serioze me korrupsionin, duke rënë poshtë 50 pikëve.

Nivelin më të ulët të korrupsionit e ka Danimarka, e cila renditet e para me 90 pikë; menjëherë pas saj vijnë Finlanda dhe Zelanda e Re me 87 pikë secila. Sipas Indeksit Global të Paqes, institucionet e forta demokratike dhe kujdesi për të drejtat e njeriut kanë ndikuar që ato të jenë dhe ndër vendet më paqësoret në botë. Në fund të listës janë Sudani i Jugut, Siria dhe Somalia, të cilat prej kohësh janë përfshirë në konflikte të stërgjatura.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i këtij viti tregon se 124 shtete nuk kanë shënuar ndonjë përmirësim në luftën ndaj korrupsionit; ndërkohë, po shtohet numri i vendeve me rritje të korrupsionit.

“Mirëpo, në një kohë kur paqja po dobësohet, ku korrupsioni është burim dhe pasojë kyçe, kjo shkakton dëme shumë të mëdha. Korrupsioni dhe konflikti ushqejnë njeri tjetrin, duke kërcënuar paqen afat-gjatë. Nga njera anë, konflikti krijon terren pjellor për korrupsionin; nga ana tjetër, mungesa e stabilitetit politik, rritja e trysnisë për burime dhe dobësimi i institucioneve mbikqyrëse i çelin shtegun krimeve, si rryshfeti dhe shpërdorimi i detyrës”, vë në dukje raporti.

“Nuk është për t’u habitur që shumica e vendeve me nivel të lartë korrupsioni janë ose kanë qenë dhe më parë të përfshira në konflikte të armatosura”, thuhet në raport./VOA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:35
Raporti i 'Transparency International' për Shqipëri, Partia e Lirisë: S'ka përmirësim, Rama e ka shtrirë korrupsionin përtej oqeanit

 

Partia e lirisë ka reaguar sërish për raportin e 'Transparency International' për korrupsionin në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun Silvia Caka thotë se Shqipëria nuk ka asnjë përmirësim krahasuar me vendet e reajonit.

Sipas saj, raporti do kishte qenë edhe më i zë nëse do ishte marrë parasysh edhe Porti i Durrësit, apo cështja MCGonigal, por nuk kanë qenë publike në kohën kur është hartuar raporti.

“Raporti i fundit i Transparency International vazhdon t’a rendisë Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara në Europë. Në të kundërt nga fqinjët tanë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat kanë përmirësime në nivelin e perceptimit të korrupsionit, Shqipëria , nuk ka pësuar asnjë përmirësim në renditjen globale të këtij studimi, për vitin 2022. Nuk ka asnjë habi e pritshmëri nga kjo qeveri, e cila tentakulat e korrupsionit i shtrin edhe përtej oqeanit, duke tentuar të zhbëjë identitetin politik dhe etnik të shqiptarëve. Madje, raporti do të ishte edhe më i zi, duke marrë në konsideratë që çështja “McGonigal” apo “Porti i Durrësit”, nuk kanë qenë publike në kohën e kryerjes së studimit.

E si pasojë e këtij korrupsioni që gërryen çdo ditë vendin tonë, shqiptarët  me të ardhurat mujore mund vetëm të ushqehen. Raporti i fundit i Eurostat mbi varfërinë, tregon se shpenzimet për bukë dhe drithëra tek shqiptarët zënë 4.3% të PBB-së, nga 1.1%, që është mesatarja e Bashkimit Europian. Gjithashtu, për kategorinë ushqime, shqiptarët harxhojnë rreth 32% të PBB-së, në raport me mesataren europiane që është 7.1%. Në fjalë të tjera, shqiptarët harxhojnë rreth 44% të të ardhurave të tyre, vetëm për të blerë ushqime.

Situata vijon të bëhet edhe më shqetësuese, kur rikujtojmë një tjetër studim të Eurostat-it, i cili tregonte se disa kategori ushqimesh, si mishi apo peshku, konsideroheshin luks nga shqiptarët e vjedhur nga qeverisja e Ramës, pa përmendur këtu pajisjet elektroshtëpiake, pushimet apo blerjen e banesave, që shqiptarët nuk lejohen t’i shohin as nëpër ëndrra. Studimi e bën të qartë që kjo vjen vetëm si pasojë e një qeverisjeje që nuk mendon për shqiptarët dhe sfidat e tyre ekonomike në një periudhë ku inflacioni ka kapur majat. Të ardhurat shumë të ulëta, pasohen nga çmimet tepër të larta e të rritura në mënyrë të pakontrolluar dhe kjo i bën shqiptarët të mos shohin dot më larg se buka e përditshme.

Qeverisja që ka për synim të rikthejë tollonin, nuk do t’ia dijë për shqiptarët; koncensionet, PPP-të, inceneratorët, kullat dhe trafiqet janë të vetmet objektiva të një qeverisjeje që po i vjen fundi edhe më shpejt se 14 Maji. Sa më shumë ditë që kjo qeverisje do të vijojë të qëndrojë në këmbë, me apo pa patericat e saj, aq më shumë do të varfërohen e do të largohen shqiptarët; sa më shumë kjo qeverisje shtyn ditët e saj, aq më shumë ditë të zeza do të vijnë për vendin tonë", tha Caka. 

Ora 14:45
Raporti i 'Transparency International' për korrupsionin në Shqipëri, Partia e Lirisë: Propagandës së qeverisë i doli boja

1670496401_Screenshot1.jpg

Partia e Lirisë ka reaguar për raportin e Transparency International mbi korrupsionin në Shqipëri. Deputetja, Erisa Xhixho shkruan se në Shqipëri qeveris korrupsioni. Sipas saj, kryeministri Edi Rama nuk ka si qëllim mirëqenien e qytetarëve por korruptimin e zyrtarëve të FBI-së.

“Dy raporte të ndryshme që dalin në të njëjtin konkluzion: në Shqipëri qeveris korrupsioni. Asnjë progres në krahasim me vitin e kaluar, sepse prioriteti numër një i qeverisë është të rrëmbejë e të ndajë me klientët e saj pasuritë e vendit.

PPP-të mbeten kërcënim për ekonominë e vendit, liria e medias është tkurrur dhe zëri i shoqërisë civile mbytet. Ndërkohë, kryeministri Rama nuk ka qëllim mirëqenien e shqiptarëve, por korruptimin e zyrtarëve të FBI për të dëmtuar e sharë opozitën me paratë e vendit më të varfër në Europë. Këto janë të vërtetat përkundrejt propagandës qê i doli boja!”- shkruan Xhixho ndër të tjera.

/B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?