Raporti i UNESCO-s, Berati
dhe Gjirokastra në listën e zezë

Raporti i UNESCO-s, Berati <br />dhe Gjirokastra në listën e zezë
TIRANE - Komisioni i Trashëgimisë Botërore ka dërguar një letër në Ministrinë e Turizmit e Kulturës (MTKRS), duke renditur të gjitha masat që kanë nevojë për implementimin para takimit të UNESCO-s për të diskutuar se çfarë hyn në listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik.

Sipas anëtarëve të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë, duket se letra ka ardhur me të njëjtat objekte të shqetësimeve që kanë ngritur jo pak herë anëtarët e tij. “Shqetësimi i UNESCO-s është si të thuash në vijim të atyre që themi ne çdo ditë. Madje, po thotë më pak nga ato ç’ka themi ne”, thotë Auron Tare.

Letra e UNESKO-s dëshmon dëmet që janë shkaktuar edhe në sitin arkeologjik të Butrintit në Sarandë, si dhe mungesën e kontrollit qeveritar mbi ndërtimet pa leje mbi trashëgiminë. Shprehet shqetësimi se “asnjë progres nuk është bërë” për t’u prezantuar në raportin e zbatimit që do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në 16 qershor - 27 qershor 2013.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore përmes një letre drejtuar MTKRS-së ka shprehur shqetësim në lidhje me ndërtimet e paligjshme dhe mungesën e mirëmbajtjes në Berat dhe Gjirokastër. Si e komentoni këtë letër?

AURON TARE: LETRA E UNESCO-S ËSHTË VIJIM I SHQETËSIMEVE TË FORUMIT

Unesko nuk po thotë ndonjë gjë që ne nuk e dimë. Unë personalisht por dhe të tjerë po flasim përditë për problemet e mëdha që ka trashëgimia. Pra shqetësimi që ngre UNESCO është normal në këtë moment. Unë vetë e lexova letrën në Komisionin e Kulturës dhe ministri e anashkaloi dhe nuk u përgjigj, duke ia deleguar gjithë problemin pushtetit vendor.

Që pushteti vendor është pjesë e kësaj historie nuk diskutohet, por përgjegjësi ligjor përballë UNESCO-s është qeveria shqiptare. Është ajo që detyron edhe pushtetin vendor të  menaxhoje të dy qytetet e shpallura trashëgimi botërore, të cilat në fund të fundit i kemi kërkuar ne të jenë pjesë e Trashëgimisë Botërore  dhe jo UNESCO.

Por institucionet shtetërore janë të paafta për të menaxhuar trashëgiminë, dhe mbi të gjitha të paafta për të reaguar. Nëse ne kemi kërkuar të jenë pjesë e Trashëgimisë Botërore, duhet edhe të jemi përgjegjës. Gjirokastrës dhe Beratit i mungon një plan menaxhimi, dhe ne jemi dëshmitarë që fondet e dhëna të paktën në ato që dimë për Gjirokastrën janë menaxhuar nga njerëz dhe kompani pranë familjes së kryeministrit.

Rasti më i prekshëm e i debatuar kohët e fundit është muzeumi i ri në Kalanë e Gjirokastrës ku flitet se janë harxhuar 500 mijë euro të donatorëve të huaj dhe qeverisë shqiptare dhe ajo që shohim atje është një skandal i vërtetë. Pra shqetësimi i UNESCO-s është si të thuash në vijim të atyre që themi ne çdo ditë, madje UNESCO po thotë më pak nga ato ç’ka themi ne çdo ditë.

LORENC BEJKO: REKOMANDIMET E UNESCO-S NUK KANË GJETUR ZBATIM SERIOZ

Kjo është pjesë e procedurës normale që Komiteti i Trashëgimisë Botërore kryen për të siguruar ruajtjen dhe administrimin korrekt të siteve, trashëgimisë botërore. Por në rastin tonë Komitetit i Trashëgimisë botërore, ka kohë që i ka tërhequr vëmendjen shtetit shqiptar për të kontrolluar ndërtimet pa leje në qendra historike dhe në anën tjetër për të siguruar një administrim rigoroz të këtyre siteve.

Ajo që unë vë re, personalisht është se asnjë prej këtyre rekomandimeve të hershme të UNESCO-s nuk ka gjetur zbatim serioz. Ndaj nuk përbën asnjë çudi për mua që UNESCO ndërmerr një hap të mëtejshëm, presioni tashmë ndaj institucioneve shqiptare.

Duhet theksuar se kjo është pjesë e mekanizmave që ka në dorë Komiteti i Trashëgimisë botërore për të ushtruar presion politik mbi shtetet anëtare. Më e rëndësishmja në këtë moment, është se ç’masa do të marrë MTKRS në këto rrethana.

Por,  për ironi, masa konkrete është miratimi për ndërtime të reja në zona të qendrës historike në kundërshtim flagrant me rregulloren shqiptare të administrimit të Gjirokastrës dhe  në kundërshtim të plotë me parimet e UNESKOS. Siç duket, kjo është përgjigja që jep për këtë letër, Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

VASO TOLE: INSTITUCIONET E TRASHËGIMISË TË TREGOJNË ANGAZHIMIN E TYRE

Këto janë procedura standarde të UNESKO-s për sitet arkeologjike që janë në listën Botërore të Trashëgimisë. Zakonisht në këto raporte anëtarët e komisionit shtrojnë problematika të mbrojtjes nga denigrimet të kësaj trashëgimie.

Është procedurë normale dërgimi i një raporti të tillë. Problemi nuk është tek letra që ka ardhur në Ministrinë e Kulturës dhe të Turizmit, por tek fakti që raportet e UNESKO-s mund të mos merren seriozisht nga institucionet shqiptare.

Ata që përgatisin këto raporte janë tepër seriozë në gjërat që bëjnë dhe me shumë seriozitet kanë ndjekur dhe vëzhguar me radhë të gjitha objektet që janë në listën e monumenteve të rrezikuara. Kështu që ata që raportojnë janë konkretë në problemet që ngrenë.

Ne kemi pasur raste kur na kanë ardhur raporte të tilla, kur unë isha drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë vite më parë. Kuptohet nuk kanë qenë raste kaq të rënda, por sido që kanë qenë ne kemi reaguar menjëherë.

Çështja këtu nuk qëndron se këto probleme nuk janë të njohura, qëndron tek fakti se a do të reflektojnë institucionet shtetërore dhe ato të trashëgimisë për të qenë gati që të tregojnë reagimin dhe angazhimin e tyre, për të mos lejuar më që të ketë dëmtime serioze në trashëgiminë kulturore.

Sigurisht, në këto raporte do të ketë reagime dhe kundër-reagime, por thelbi i përgjigjes sime a do të merret seriozisht kjo letër dhe sa do të reflektohet për t’u prezantuar në raportin e zbatimit që do të shqyrtohet gjatë këtij viti.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.032013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Mbyllja e TikTok, ish ambasadorja e BE-së mbështet nismën: Shqipëria s' ka frikë, nuk qenka kaq e vështirë, Europë

Mbyllja e TikTok, ish ambasadorja e BE-së mbështet nismën: Shqipëria s' ka frikë, nuk qenka kaq e vështirë, Europë