Blerje pronash, trojesh, apartamentesh, mallrash luksi apo veprash arti, janë këto ‘formulat magjike’ të përdorura gjatë vitit 2025 për pastrimin e parave. Agjencia e Inteligjencës Financiare ka listuar në raportin për vitin e kaluar 7 tipologji pastrimi parash, ku në vend të parë vijon të jetë sektori i pasurive të paluajtshme, pasi 4 nga skemat e zbardhura janë në këtë sektor.

Metoda është e njëjtë, blejnë lirë-shesin shtrenjtë; luks transaksionesh për të humbur gjurmë, dhe pjesa dërrmuese e parave janë nga burime të panjohura.

Rasti i parë ka të bëjë me blerje të trojeve nën çmimin e tregut dhe shitjen e tyre më pas me vlerë 15-fish më të lartë. Përgjatë viteve 2021-2025 një shtetas ka blerë 64 mijëra metra katrorë troje në Dajt (4-21 euro metri) dhe Prezë (520 lekë metri). Brenda pak muajsh i shtet tek një tjetër, 8,050 metra të blera 45 mijë euro ia shet 603 mijë euro. I njëjti individ me çmim tejet të ulët përmes kompanisë së hapur në 2022 në fushën e ndërtimit përfiton 68 mijë metër katror në Petrëlë e Mullet, me çmim tejet të ulët evidentohet në raport. Raporti thotë se nga këto lëvizje u përfituan qindra mijë euro, pjesa më e madhe e të cilave u përdorën si burim financimi në kompaninë e ndërtimit. Për shkak të këtyre lëvizjeve rasti është dërguar për hetim në prokurori.


Skema grafikisht e paraqitur në raportin e AIF

Në skemën e dytë në lojë është një 18-vjeçare, e cila blen një vilë në bregdet me vlerë 1.5 milionë euro, financuese ishte motra e saj një 40 vjeçare që burim fondesh ka një shtet i Afrikës jugore. Kjo e fundit vetë, e cila jetonte në një shtet të konsideruar ‘parajsë fiskale’, gjithashtu blen një vilë 1.7 milionë euro në bregdet, dhe deklaron se fondet i ka nga bashkëshorti.

Gjatë 2025-ës 40 vjeçarja investon në Shqipëri 700 mijë euro në blerjen e veprave të artit. Gjithashtu figuron ortake e vetme e një biznesi që operon në sektorin e lojërave online në Seychelles, shtetin e vogël afrikan, prej nga ku fiton miliona euro, kurse bashkëshorti i saj rezulton i përfshirë në aktivitet e të paligjshme që lidhen me krimin e organizuar.


 

Skema grafikisht e paraqitur në raportin e AIF

Skema tjetër ka të përfshirë edhe një ish zyrtar shtetëror i dënuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, gjatë vitit 2024 ka nënshkruar kontrata prenotimi pasurish të paluajtshme të llojit apartament në vlerën 60,000 EUR, poste parkimi në vlerën 35,000 EUR dhe njësi në vlerën 60,000 EUR.

“Nga të dhënat në llogarinë bankare të shtetasit A rezultoi se fondet për blerjen e pasurive të paluajtshme janë akumuluar në llogari nga depozitime, transferta nga persona të tretë në vlerën 140,000 Eur, si: dhurim, dhënie hua, likujdim borxhi etj, me lidhje të paqarta mes palëve”, thuhet në raport.

Për shkak të çmimit të ulët me të cilin janë blerë pronat, marrjes së transfertave nga persona pa lidhje mes tyre, dhe transferta të përqendruara vetëm në një sektor rasti u dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.


 

Skema grafikisht e paraqitur në raportin e AIF

Skema e katërt, po në sektorin e pasurive të paluajtshme, ka në qendër një person me precedentë penal në fushën e narkotikëve i cili ka ndryshuar edhe emër depoziton 50 mijë euro në llogarinë e tij duke i deklaruar si kursime dhe më pas merr edhe një dhuratë 75 mijë euro nga një person, pa pasur lidhje familjare me të. Ky shtetas bën më pas një transfertë 120 mijë euro në llogarinë e një shtetaseje të huaj në një vend të BE-së për të blerë pasuri të paluajtshme. Edhe ky rast është referuar në Prokurori për veprat penale fshehje e të ardhurave dhe pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Skema tjetër ka fokus mallrat e luksit. 10 persona bëjnë depozitime parash në 10 llogari të ndryshme bankare afro 1.9 milionë euro, pa pasur të ardhura të deklaruara për të justifikuar burimin. Këto para që i depozitonin më pas i përdornin për blerje online në marka si Chanel, Louis Vutton, Hermes etj. Sipas AIF këta persona rezultojnë të jenë të lidhura me ushtrimin e një aktiviteti të tregtisë online të paregjistruar.


 

Skema grafikisht e paraqitur në raportin e AIF

Njëmbëdhjete shoqëri të regjistruara në Shqipëri, kanë përfituar transferta në vlerë 3,740,000 EUR nga shtete të ndryshme në Evropë dhe Azi. Kompanitë ishin të lidhura me njëra-tjetrën dhe ushtronin aktivitetit në ofrimin e shërbimeve të marketingut online. Këto subjekte janë regjistruar në vitin 2024 dhe për një periudhe gjashtëmujore apo brenda të njëjtit vit rezultojnë të jenë çregjistruar. Këto subjekte janë referuar nga tatimet në organet ligjzbatuese për veprat penale fshehje të ardhurash dhe mospagim i taksave e tatimeve.

Dhe e fundit është një skemë mashtrimi me transaksione POS. Një kompani e hapur në Shqipëri nga një i huaj me aktivitet në import-eksport e tregtim me shumicë dhe pakicë të mallrave të ndryshëm ushqimorë dhe industrialë, ka krijuar marrëdhënie biznesi me një nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Kjo kompani brenda një jave kërkon të kreditojë në llogari përmes POS afro 1.1 milionë euro, por është bllokuar nga Mastercard International. Ndryshe nga sa ishte objekti i aktivitetit për të cilin ishte krijuar kompania ajo në fakt e kishte zgjeruar më tej me shërbime si: Eskortë; Makina me qira; VIP makina me qira, shërbimin “Agjenci Turistike, Udhëtimesh etj.