Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për formën, mënyrën dhe procedurën e raportimit të të dhënave nga Autoritetet Licensuese dhe Mbikqyrëse.
Sipas këtij vendimi Autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse raportojnë tek autoriteti përgjegjës, Agjencia e Inteligjencës Financiare, menjëherë dhe jo më vonë se 72 orë nga çasti i konstatimit të çdo dyshimi, informacioni apo të dhëne, që lidhet me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit apo financimin e armëve të shkatërrimit në masë për veprimtaritë nën juridiksionin e tyre.
VKM:
V E N D I M PËR FORMËN, MËNYRËN DHE PROCEDURËN E RAPORTIMIT TË TË DHËNAVE NGA AUTORITETET LICENCUESE DHE MBIKËQYRËSE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse raportojnë tek autoriteti përgjegjës, Agjencia e Inteligjencës Financiare, menjëherë dhe jo më vonë se 72 (shtatëdhjetë e dy) orë nga çasti i konstatimit të çdo dyshimi, informacioni apo të dhëne, që lidhet me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit apo financimin e armëve të shkatërrimit në masë për veprimtaritë nën juridiksionin e tyre, në rastet kur:
a) kanë dyshime që mund të lidhen me parregullsi në dokumentacionin identifikues e justifikues të burimit të ligjshëm të kapitaleve me ato reale;
b) vërejnë mosjustifikim të pasurisë apo të parave të deklaruara nga pikëpamja ekonomike ose ligjore;
c) kanë informacione, sinjalizime se të dhënat për paratë apo pasuritë e depozituara për licencim rrjedhin nga vepra penale ose janë të përziera me para apo pasuri të tilla apo kur dyshojnë se veprimtaria që kërkohet të licencohet do të ngrihet për të realizuar ose për të mbështetur pastrimin e parave;
ç) kanë të dhëna apo dyshime për përfshirje ose qëllime, që vërtetojnë se veprimtaria do të përdoret për të kryer, mbështetur, lehtësuar, ruajtur, nxitur ose fshehur aktet terroriste apo do të financojnë terrorizmin;
d) kanë dyshime të tjera, të bazuara në gjendjen ose në rrethanat, që nuk janë parashikuar më lart.
2. Mënyra e raportimit nga autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse në Agjencinë e Inteligjencës Financiare bëhet në formë shkresore ose elektronike me anë të formularit që paraqitet në aneksin I “Formulari i raportimit të aktivitetit të dyshimtë nga autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse”, shoqëruar nga instruksionet për plotësimin e tij, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij. Raportimi në formë elektronike kryhet në platformën elektronike të administruar nga Agjencia e Inteligjencës Financiare.
3. Informacioni i raportuar apo i shkëmbyer me Agjencinë e Inteligjencës Financiare kryhet në bazë të konfidencialitetit të ndërsjellë.
4. Autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse i kthejnë përgjigje Agjencisë së Inteligjencës Financiare brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së kërkesës për informacion. Në raste urgjente, autoriteti përgjegjës mund të kërkojë informacion edhe brenda një afati më të shkurtër sesa ai i parashikuar në ligj.
5. Vendimi nr.343, datë 8.4.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrat dhe procedurat e raportimit të autoriteteve licencuese dhe/ose mbikëqyrëse”, shfuqizohet.
6. Ngarkohen Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe autoritetet licencuese e mbikëqyrëse, të përcaktuara në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
Komente









