Raporti,OSBE përjashton votimin
elektronik nga rekomandimet

Raporti,OSBE përjashton votimin<br />elektronik nga rekomandimet
Asnjë nga kërkesat dhe kushtet me natyrë ultimative të partive kryesore opozitare në Shqipëri nuk është përfshirë në rekomandimet e OSBE/ODIHR për ndryshimin e ligji zgjedhor. Në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR nuk përmendet votimi dhe numërimi elektronik dhe as ndryshimi i sistemit politik, dy kushte këto të Partisë Demokratike, për reformën zgjedhore. Partia Demokratike, por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë kërkuar që reforma zgjedhore të nisë me aplikimin e votimin elektronik dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor. Por, ndërkombëtarët duket se janë kundër kërkesave të tilla dhe ekspertimeve me zgjedhjet.

Në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR nuk flitet as për teknologji në zgjedhje dhe as për ndryshimin e sistemit. Rekomandimet e vënë theksin tek disa problematika të tjera. Konkretisht, rekomandimet konsistojnë tek një reformë gjithëpërfshirës zgjedhore, ndërsa e vënë theksin tek harmonizimi i ligjeve për financimin e fushatës së partive politike. Ndërkaq, rekomandimi numër dy kërkon marrje e masave për të ndaluar fenomenin e shitblerjes së votave. Në raport u kërkohet politikanëve shqiptarë që të mos pranojnë mbështetje financiare nga kriminelët.

“Nevojiten përpjekje të forta për adresimin e problematikës së përsëritur të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate ndërgjegjësimi qytetare, ashtu edhe ndjekjeve penale, me qëllim të promovimit të besimit në procesin zgjedhor. Mund të bëhej një angazhim konkret dhe i sinqertë nga partitë politike për të luftuar praktikat e blerjes së votave. Përveç kësaj, një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me një të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve”, thuhet në raport.

Burimet shtetërore
OSBE/ODIHR kërkon që t’i jepet fund abuzimit dhe përdorimit të burimeve shtetërore për llogari elektorale. “Qeveria duhet të analizojë efektivitetin e përpjekjeve të mëparshme për të luftuar abuzimin e burimeve shtetërore dhe presionet lidhur me punësimin për votat. Qeveria duhet të konsiderojë krijimin e një organi transparent, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, me detyrën dhe kompetencën për të vepruar dhe ndjekur nëse çështjet e tilla vihen re në periudhën para dhe pas zgjedhjeve. Një strukturë e tillë mund të përsëritet në nivel rajonal dhe të krijohet në kohën e duhur para zgjedhjeve të ardhshme”, thuhet në raport. Një strukturë e ngjashme me këtë rekomandim të OSBE/ODIHR -it u ngrit për herë të parë në këto zgjedhje në formën e një task-force, pas përfshirjes së opozitës në qeveri me ministra teknikë. OSBE/ODIHR rekomandon për të disatën herë ndryshimin e ligjit për komisionerët dhe numëruesit që administrojnë procesin elektoral, në mënyrë që ato të mos u përkasin partive politike.
 
 
Rekomandimet e OSBE/ODIHR
1. Autoritetet duhet të ndërmarrin një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në kohë dhe të bazuar në analiza të shëndosha politike, për të adresuar rekomandimet e përfshirë në këtë raport dhe ato të mëparshme të OSBE/ODIHR-it. Të harmonizohen ligjet për zgjedhjet, veçanërisht për fushatën, financimin e fushatës dhe mediat.
 
2. Nevojiten përpjekje të forta për adresimin e problematikës së përsëritur të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate ndërgjegjësimi qytetare, ashtu edhe ndjekjeve penale, me qëllim të promovimit të besimit në procesin zgjedhor. Mund të bëhej një angazhim konkret dhe i sinqertë nga partitë politike për të luftuar praktikat e blerjes së votave. Përveç kësaj, një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me një të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve.
 
3. Qeveria duhet të analizojë efektivitetin e përpjekjeve të mëparshme për të luftuar abuzimin e burimeve shtetërore dhe presionet lidhur me punësimin për votat. Qeveria duhet të konsiderojë krijimin e një organi transparent, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, me detyrën dhe kompetencën për të vepruar dhe ndjekur nëse çështjet e tilla vihen re në periudhën para dhe pas zgjedhjeve. Një strukturë e tillë mund të përsëritet në nivel rajonal dhe të krijohet në kohën e duhur para zgjedhjeve të ardhshme.
 
4. Ligji mund të ndryshohet për të lejuar emërimin jopartiak të komisionerëve të zgjedhjeve dhe anëtarëve të grupeve të numërimit. Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet për të ndaluar zëvendësimin diskrecional të anëtarëve të KZAZ-së. Duhet të merret në konsideratë edhe futja e mekanizmave alternativë për emërimin e KQV-ve dhe anëtarëve të numërimit, kur partitë politike dështojnë të emërojnë kandidatët e tyre.
 
5. Kufizimet e të drejtave të votimit të personave me aftësi të kufizuara mendore duhet të hiqen. Heqja automatike e zgjedhësve mbi moshën 100-vjeçare nga listat e zgjedhësve duhet të ndërpritet dhe detyrimi për të verifikuar të dhënat e këtyre votuesve të vendoset në shtet.
 
6. Dispozitat penale për shpifje duhet të shfuqizohen në favor të mjeteve juridike civile të hartuara për të rikthyer reputacionin e dëmtuar.
 
7. Për të rritur transparencën, ligji duhet të garantojë të njëjtat të drejta për të gjithë vëzhguesit dhe të përcaktojë qartë që të gjithë vëzhguesit të kenë të drejtën të marrin kopje të protokolleve të rezultateve.
 
8. Shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Duhet parandaluar çdo formë presioni për të zbuluar se si votuesit kanë ndërmend të votojnë ose si kanë votuar.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi