Vetëm gjatë vitit 2025 Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka dhënë 34 vendime për Shqipërinë, nga 44 ankesa gjithsej. Në favor të personave që janë ankuar me palë të paditur shtetin shqiptar janë dhënë 12 vendime, raste që sipas GJEDNJ-së janë konstatuar shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas raportit të Avokatit të Shtetit, në 16 raste kërkesat u shpallën të papranueshme, ndërsa 6 çështje u hoqën nga lista e gjykimit, kryesisht pas zgjidhjes me pajtim ose mungesës së interesit të kërkuesve. Raporti tregon se kërkuesit kishin pretenduar 1,7 miliardë lekë dëmshpërblim, por Gjykata akordoi afro 7,9 milionë lekë, duke shmangur në këtë mënyrë një dëm të mundshëm ndaj buxhetit të shtetit në vlerën e 1.6 miliardë lekëve.
“Gjatë vitit 2025, janë komunikuar 31 çështje. Nga këto, 15 çështje kanë natyrë civile, 8 janë të natyrës penale, si dhe 8 çështje lidhen me shkarkimin nga detyra të kërkuesve në kuadër të procesit të vettingut”, thuhet në raport.
GJEDNJ ka dërguar gjithashtu në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës 13 çështje kundër Shqipërisë për mbikëqyrjen e ekzekutimit të tyre.
“Aktualisht janë 63 çështje në monitorim nga Komiteti i Ministrave, nga të cilat 7 ndiqen me procedurë të përshpejtuar. Gjatë vitit janë dërguar 27 plane/raporte veprimi dhe komunikime të përditësuara, ndërsa Komiteti i Ministrave ka mbyllur monitorimin për 8 çështje”, thuhet në raport.
Duke u bazuar në shkeljet e gjetura gjatë shqyrtimit të ankesave, GJEDNJ dhe Avokatura e Shtetit kërkojnë plotësimin e vakancave në gjykata, rritjen e burimeve njerëzore, uljen e stokut të dosjeve, funksionimin efektiv të mekanizmave të kompensimit për zvarritjen e proceseve. Po ashtu rekomandohet edhe garantimi i një aksesi efektiv në Gjykatën Kushtetuese, pasi është konstatuar se kjo gjykatë ka përllogaritur gabim afatin kohor për paraqitjen e një ankese nga data е vendimit të Gjykatës së Lartë.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë
Komente






