Raporti për Ballkanin: Koha nuk pret, SHBA duhet ta inkurajojë Shqipërinë

Raporti për Ballkanin: Koha nuk pret, SHBA duhet ta inkurajojë Shqipërinë

Prezantimi i raportit në Institutin Amerikan për Paqen, në Uashington

"Ka ardhur koha për të vepruar në Ballkanin Perëndimor”, titullohet raporti që katër veteranë të diplomacisë amerikane prezantuan në Institutin Amerikan për Paqen, në Uashington.

Titulli është alarmues. Edhe vendi është zgjedhur me qëllim. Instituti Amerikan i Paqes, USIP, ndodhet përballë Departamentit të Shtetit, pra është sikur t'u thuash zyrtarëve ulur në karriget e zyrave në anën tjetër të rrugës: hej, koha nuk pret sepse Ballkani Perëndimor është kthyer sërish në rajon me stanjacion dhe destabilitet për shkak të qeverisjes së dobët, ndikimeve nga jashtë dhe marrëdhënieve të tensionuara etnike e midis shteteve.

Raporti i shkruar për dy organizata amerikane të fokusuara në konfliktet ndërkombëtare, Institutin EastWest dhe Komitetin Nacional për Politikën e Jashtme amerikane, thekson nevojën imediate që Amerika dhe Bashkimi Evropian të veprojnë për të penguar destabilizimin dhe shpërthimin e mundshëm të dhunës në Ballkan.

Autorët Thomas Graham, Jonathan Levitsky, Cameron Munter, Frank G. Wisner mendojnë se SHBA dhe EU duhet të përmirësojnë strategjinë dhe të rigjallërojnë parnteritetin.

Koha nuk pret
Ambasadori Wisner është i shqetësuar për situatën në rajon. Progresi ka ngecur, në disa raste situata është përkeqësuar. Njerëzit duhet të tregojnë më shumë kujdes për situatën aktuale, sepse koha nuk pret. "Mënyra se si duhet vepruar me situatën në Ballkanin perëndimor njihet prej ne të gjithëve: integrimi gradual në NATO dhe BE”.

Ky vit është i rëndësishëm për Ballkanin me takimet e nivelit të lartë të BE-së, të NATO-s. Vendeve duhet t'u ofrohet një rrugë e besueshme dhe e arritshme e anëtarësimit në instuticionet transatlantike. "Kjo rrugë nuk shihet ende,” thotë Wisner.

BE-ja mbetet primare, roli i Amerikës është ai i katalizatorit. Ballkani është pjesë e Evropës dhe një Evropë e lirë dhe e plotë përmban edhe Ballkanin.

Vëmendje urgjente
Vendi që kërkon urgjentisht më shumë vëmendje është Bosnjë-Hercegovina. Dhe për Bosnjën u fol shumë. Po ashtu për Kosovën, ku u theksua nevoja e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, i cili duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia. NATO duhet të ndihmojë Kosovën të ngrejë forcën e armatosur dhe KFOR duhet të qëndrojë në Kosovë. "Por, një bazë e përhershme e NATO-s ose SHBA-së në rajon do provokonte pa nevojë Serbinë dhe Rusinë”, thuhet në raport.

Këmbim territoresh Kosovë – Serbi?
Nga salla u shtrua pyetja për idenë e këmbimit të territoreve Kosovë – Serbi. Ambasadori Wisner, pranon që kjo ide është hedhur prej presidentit serb. "Nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se të japim përgjigje me kujdes. Ideja e këmbimit të territoreve është një ide, së cilës nuk i ka ardhur koha ende. Dhe unë nuk mendoj se do t'i vijë koha tani shpejt. Ka shumë çështje të tjera që duhen zgjidhur... Si për shembull Asociacioni i komunave serbe.”

Për drejtorin e Institutit EastWest, Cameron Munter, "edhe marrëdhëniet ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë luajnë një rol. Po ashtu krijimi i besimit social tek njerëzit.”

Shqipërinë nuk e përmendi kërkush në takim, as nga folësit, as nga publiku. Por raporti sugjeron se formula për Shqipërinë është nxitja e reformave. "Kandidate që më 2014 për pranim në BE, Shqipëria ka pasur vështirësi në zbatimin e reformave për fillimin e negociatave. SHBA duhet ta inkurajojë Shqipërinë për të shfrytëzuar shancin e ofruar për hapjen e negociatave”, thuhet në të.

Maqedonia me lajme të mira dhe jo të mira
Për Maqedoninë prioritet duhet të jetë pranimi në NATO dhe në BE. "Amerika duhet të shfrytëzojë ndikimin që ka në nivelet më të larta të Maqedonisë dhe Greqisë, për të theksuar rëndësinë e zgjidhjes së çështjes së emrit. Duke bërë bilancin e bisedimeve Maqedoni – Greqi ambasadori Wisner numëron lajmet e mira dhe ato jo të mira:”Sot, numri i çështjeve që duhet të zgjidhen midis Shkupit dhe qeverisë greke, është ulur shumë. Atmosfera e dialogut midis palëve është shumë e ngrohtë. Kryeministrat dhe ministrat e të dy vendeve merren vesh mirë. Ekziston mundësia që të gjendet zgjidhja. Por, duhen javë, për të mos thënë muaj të tërë deri sa palët të kenë pranuar një zgjidhje politike, e cila duhet zbatuar më pas.” Plani që kanë diplomatët është ta bindin presidentin Trump se "Ballkani është i rëndësishëm”. DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e vitit 2025/ Presidenti Bajram Begaj pret nesër në konsultime për datën PD dhe PS, e mbyll me Celibashin

Zgjedhjet e vitit 2025/ Presidenti Bajram Begaj pret nesër në konsultime për datën PD dhe PS, e mbyll me Celibashin