Ministria e Drejtësisë prezanoi të martën në Komisionin Parlamentar të Ligjeve raportin për inspektimet në Prokurori përgjatë vitit 2014. Gjatë paraqitjes së raportit, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, pohoi se politika penale e qeverisë nuk respektohet thuajse fare, ndërsa evidentoi probleme të rënda të konstatuara gjatë kontrolleve në Sarandë, Durrës dhe Shkodër.
"Mosfillim procedimi, ndërkohë që kallëzohen veprime korruptive të personave konkretë, pa u kryer asnjë verifikim apo veprim proaktiv nga prokurori. Mosfillim procedimi, për shkak se kallëzimi nuk është paraqitur, ndërkohë që ky shkak nuk përfshihet në rrethanat, të cilat nuk lejojnë fillimin e procedimit. Mosfillim i procedimit, megjithëse janë kryer veprime të mirëfillta hetimore, apo kur nga materiali kallëzues del e domosdoshme kryerja e veprimeve hetimore, për të provuar apo rrëzuar pretendimet e paraqitura", deklaroi Naço para deputetëve të Komisionit të Ligjeve.
Ministri i Drejtësisë u shpreh se nuk do të donte të dublonte punën e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila tha ai, ka për detyrë të kontrollojë prokurorët. Ai shprehu shqetësim se asnjë prokuror, nga ata që janë gjetur me shkelje të rënda, nuk është dërguar për procedim disiplinor.
"Sigurisht që në punën time nuk e kam parë këtë mjet ligjor, që ta kem si çekiç ndaj Prokurorisë dhe as nuk kam dashur që të dubloj punën e saj", tha ministri Naço.
Anëtarët e komisionit parlamentar shprehën shqetësimet e tyre, ndërsa e konsideruan flagrante jo vetëm faktin, që prokurorët janë në drejtim të kundërt me politikat penale të qeverisë, por dhe për faktin që Kryeprokurori nuk i pëgjigjet as formalisht kërkesave të bëra nga Ministria e Drejtësisë.
"Më rezulton se ata (prokurorët), në këto raste kanë ecur në drejtim totalisht të kundërt me orientimet e politikës penale", tha deputetja e PS-së, Vasilika Hysi.
"Jam i shqetësuar nga fakti që Prokurori i Përgjithshëm nuk denjon t'i kthejë përgjigje Ministrisë së Drejtësisë për rekomandimet e sjella. Ky është një detyrim që e njeh edhe ligji për zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme, duke e njohur si detyrim ndaj tij. Në dijeninë time kjo është një gjë e përsëritur, pasi edhe vitin e shkuar është ngritur i njëjti shqetësim", tha kryetari i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.
Ndërsa qeveria kërkon të ketë sa më pak dënime për të miturit dhe të jepen dënime alternative për ta, në më shumë se 90% të rasteve prokurorët kanë kërkuar burgim, konstaton raporti i Inspektimeve në Prokurori për vitin 2014. /atsh/