Mosha mesatare e anijeve shqiptare të peshkimit është 39-vjeçare dhe ato janë në gjendje mjaft të keqe teknike.
 
Ato kanë një performancë shumë të dobët ekonomike, dhe aktualisht vetëm gjysma e tyre janë në gjendje pune.
 
Të dhënat vijnë përmes një analize të Ministrisë së Bujqësisë për këtë sektor, e cila thekson se një prej probleme më madhore me të cilat përballet ky sektor është peshkimi informal.
 
Ndërkaq ka një mungesë qartësie për agjencitë shtetërore që duhet të mbikëqyrin katër portet, gjë që sjell mungesë të plotë menaxhimi të peshkimit.
Sipas analizës, në total numërohen 213 anije të licencuara mbi 12 metra, por vetëm 118 prej tyre janë aktive.
 
Portet gjithashtu paraqesin një situatë të varfër. Mbetjet e anijeve të mbytura nuk janë larguar, duke sjellë rreziqe në lundrim.
 
Bankinat dhe infrastrukturat kanë nevojë për riparime të shumta, gjë që sjell probleme me sigurinë, por dhe me higjienën, kur vjen fjala te magazinimi dhe trajtimi i peshkut.
 
Mungesa e strukturave të riparimit i detyron shqiptarët t’i dërgojnë anijet në Itali e Greqi, me një kosto vjetore prej rreth 4.3 milionë eurosh. 
Në analizë merren parasysh vetëm anijet e peshkimit me gjatësi mbi 12 metra, ndërkohë që shumë më e rëndë paraqitet situata e peshkimit artizanal me barka nën 12 metra të gjata.
 
Sipas Ministrisë, peshkimi artizanal vuan nga një informalitet shume i lartë, dhe ç’është më e keqja nga një mjedis lokal i degraduar. Brenda distancës prej tre miljesh nga bregu raportohet përdorimi i tratave të jashtëligjshme fundore, të cilat shkulin bimët dhe lenë të ç’veshur shtratin detar.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com