Ekonomia e vendit po sfidohet nga emigrimi dhe rënia e popullsisë. Në raportin e Bankës së Shqipërisë theksohet se duhet të merren masa pasi demografia rrezikon rritjen ekonomike dhe skemën e pensioneve. Raporti konfirmon shifrën e raportit të një viti më parë të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit që në tre dekada Shqipërisë i ka emigruar afro 40% e fuqisë punëtore.

Emigrimi, i shoqëruar me rënie të lindshmërisë dhe rritje të moshës mesatare nga viti në vit, po ushtron presion gjithnjë e më shumë mbi ekonominë shqiptare, dhe sinjalet janë që këto trende negative do të vijojnë. Në raportin e vitit 2025, Banka e Shqipërisë, e ngre si një nga shqetësimet kryesore të ekonomisë ‘sfidën demografike’

“Trendet e pafavorshme demografike mund të kufizojnë potencialin e rritjes, përmes tkurrjes së forcës së punës dhe presioneve mbi produktivitet, si dhe të dëmtojnë qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve dhe të reduktojnë hapësirat fiskale”, thuhet në raport.

Emigracioni kërkon përgjigje, duke filluar me reformimin e skemës së pensioneve e deri tek investimi në tregun e punës.

“Adresimi i këtyre sfidave kërkon politika të kujdesshme dhe reforma të mëtejshme strukturore. Emigracioni dhe ndryshimet demografike ndikojnë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e një shoqërie, duke ushtruar presione në tregun e punës e, për rrjedhojë, edhe në vendimmarrjen e politikës monetare”, vlerëson Banka e Shqipërisë.

Shumë sektorë të ekonomisë po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore, faktorë që sipas Bankës së Shqipërisë ka ndikuar edhe në rritjen e pagave, por përsëri kërkesa për punonjës është shumë më e lartë sesa oferta, pra punonjësit në dispozicion.

Banka thotë në raport se studimet e kryera tregojnë se Shqipërisë i ka emigruar afro 40% e fuqisë punëtore në tre dekadat e fundit. Aktualisht në vend janë 6500 vende të lira pune të shpallura, për profesione nga elementare deri te ato të kualifikuara.