Raporti secret, ja bisedat e takimit
të tretë të Zogut me CIA-n në SHBA

Raporti secret, ja bisedat e takimit<br />të tretë të Zogut me CIA-n në SHBA
Çfarë u fol në takimin e tretë të mbreitt Zog me zyrtarin misterioz të CIA-s  në takimin e 12 shtatorit 1951 në  Nju Jork. Raporti dy faqësh zbulon bisedat dhe planet për të infilturar katër njerëz të besuar të Zogut në shqipëri, me qëllim përmbysjen e regjimit të Hoxhës…
 
Në numrin e dates 21.07.2013 Shqiptarja.com publikoi pjesën e dytë Ku janë Pikat e takimit mes Enver Hoxhës dhe Ahmet Zogut
 
PJESA III

Takimi i tretë i Mbretit Zog me bashkëbiseduesin misterioz amerikan u mbajt me 12 shtator 1951, d.m.th. tamam 13 ditë më vonë nga i dyti. Dokumenti prej dy faqesh nuk përmend vendin e tij, por me siguri ai duhet të jetë mbajtur në Nju Jork, ku edhe u krye takimi i përparshëm. Edhe distanca në kohë midis takimit të parë dhe të dytë kishte qenë pikërisht 13 ditë, një përkitje e çuditshme distancash kohore.

Sikurse përmendëm, në fund të takimit të parë Zogu si shkarazi kishte theksuar edhe takimet e tij me dy gjeneralë tejet të njohur dhe me peshë të forcave të armatosura amerikane. Gjenerali Macarthur [Makarthur] kishte qenë çlirimtari i Japonisë në fund të Luftës II Botërore dhe mandej kishte drejtuar operacionet ushtarake në Luftën e Koresë. Mirëpo Presidenti Truman e kishte pushuar në mënyrë të papritur për shkak të mosëmarrëveshjeve në lidhje me prirjet e gjeneralit për të zgjeruar angazhimin ushtarak amerikan në Azi. Edhe gjenerali Clay [Klej] ishte mjaft i njohur, sidomos në teatrin evropian.

Kontaktet e Mbretit Zog me ushtarakë në të nivelit të lartë amerikan, që edhe pse ishin të paangazhuar, gëzonin respekt dhe admirim të gjerë, nënkupton se ai, përveç mbështjes nga shërbimet e zbulimit,  po kërkonte edhe mbështetjen e krahut ushtarak.  Megjithatë, ka rëndësi të theksohet se takimet dhe bisedat e fshehta për përmbysjen e qeverisë shqiptare nuk kryheshin në zyrat e qeverisë amerikane, por nëpër hotele. Po ashtu, sipas një dokumenti tjetër të gjendur në arkivë, ushtarakë të lartë të Pentagonit qysh në fillim mendonin se Shqipëria kishte vlerë të parendësishme në skemën e gjerë të zhvillimeve botërore dhe nuk e fshehnin mosbesimin dhe rezervat për planet e zyrtarëve të CIA-s për ndryshimin e regjimit në Shqipëri.
 
Por le të kthehemi tek takimi i 12 shtatorit. Ish-Mbretit të Shqipërisë me siguri po i  pëlqente tej mase vizita e tij në SHBA. Ai gjithmonë i kishte çmuar së tepërmi raportet me SHBA kur ishte në kyre të shtetit shqiptar. Ishte martuar me një pinjolle të familjeve të mëdha amerikane, kishte vendosur si ministër të tij në Ëashington Faik Konicën, kishte ruajtur gjithnjë marrëdhënie shumë të ngrohta me të dërguarit amerikanë në Tiranë, kishte nisur motrat e tij për vizitë në SHBA në parapërgatitje të vizitës sê tij që nuk e bëri dot për shkak të pushtimit fashit, etj. Përveç blerjes së shtëpisë luksoze në një fshat të rrethinave të Nju Jorkut, Zogu kishte patur edhe takime me shumë rëndësi që i mundësonin realizimin e ëndrrrës së tij të kahershme: rikthimin në pushtet si dikur, në vitin 1924.

Ai sikur ishte kthyer në elementin e tij dhe kujtonte kohët kur e kishte rrëzuar pa shumë vështrësi Peshkop Nolin, për të cilin, edhe pse ai e kishte mbështetur bashkë me Konicën gjatë Luftës II Botërore, ish-Mbreti nuk kishte ngurruar ta etiketonte negativisht në një takim tjetër që pati po ato ditë me disa përfaqësues të agjencive ligj-zbatuese amerikane, për të cilin do të flasim tjetër herë. Ai ishte i qartë se puna kishte qenë shumë më e lehtë në 1924, kur as gjashtë muaj nuk kishin kaluar e Zogu ishte kthyer në pushtet. Koha tregoi se me Enver Hoxhën do ta kishte shumë më të vështirë.

Raporti i përmbajtjes së bisedës  së tretë është në dy faqe dhe ka gjashtë pika. Nga biseda kuptohet që Zogu kishte propozuar në takimet e përparshme që dërgimi i grupit klandestin në Shqipëri të kryhej në tetor 1951. Prandaj edhe amerikanët kishin filluar ndërkohë përgatitjet.  

“I kërkova takim Mbretit Zog me 12 shtator 1951 për të përfunduar organizimin [complete arrangements] në lidhje me grupin prej katër vetësh që ai do të na siguronte për t’i infiltruar në Shqipëri”, e fillon raportin bashkëbiseduesi amerikan. Më tej ai i shpjegon Zogut se amerikanët “do të donin të kontrollonin sigurinë e individëve të zgjedhur prej tij”, pra kërkonin të dhëna biografike sa më parë.
     Vazhdon më tej raporti: “unë kërkova që Zogu të më bënte me dije emrat e katër personave dhe i dhashë atij disa pseudonime dhe kriptonime për t’u përdorur, nëse ai do ta shikonte të nevojshme për të korresponduar me mua në lidhje me operacionin në fjalë”.

Zogu u shpreh pak a shumë se ende nuk i kishte emrat e plotë të katër agjentëve. Me shumë gjasë do të caktonte dy oficerë që jetonin me të në Egjipt, të quajtur Barjam Neli dhe Haxhi Gjyli [në dokument: Bajram Nelli e Hadji Guli].  Si udhërrëfyes do të ishte një pjestar i familjes Biçaku, që jetonte në Stamboll, dhe një person me mbiemër Zemblaku [Zmbljaku në dokument], i cili ndodhej në Greqi. Ai shtoi më tej se “i ngarkuar për hollësitë sa i takon pjesë së vet të këtij operacioni do të ishte kolonel Selmani.” Kolonel Hysejn Selmani, ish komandant i Gardës Mbretërore, kishte njohje të shumta në veri të Shqipërisë, sidomos në rrethet e Dibrës, madje – sipas kujtimeve të Haxhi Lleshit – edhe me familjen Lleshi të Dibrës. Selmani, sikurse del nga burime të tjera, ishte aktivizuar së tepërmi me qarqe jugosllave në përpjekjet e përbashkëta për përmbysjen e qeverise së Tiranës.

“Kolonel Selmani”, shtoi Zogu. “do të jetë i disponueshëm të shkojë në Greqi dhe të ndihmojë në organizimin e operacionit kurdoherë që të jetë e nevojshme”.
Të dy palët ranë dakord që Biçaku të largohej nga Stambolli pa vonesë dhe të shkonte në Kajro. Bashkë me dy oficerët që do të shoqëronte, ai mandej do të transferohej haptazi nga Kajro në një vend tjetër evropian. Prej andej ata do të shkonin në Gjermani prej nga do të merreshin dhe do të dërgoheshin në rrugë klandestine në Greqi.

Dokument sekret takimi i Tretë CIA-Ahmet Zogu me logo
(Në foto: Dokument sekret takimi i tretë CIA-Ahmet Zogu)

Bashkëbiseduesi amerikan sqaroi se, “duke patur parasysh kohën e nevojshme për të stërvitur radistët, infiltrimi do të duhej të shtyhej për muajin nëntor, dhe jo për në tetor, sikurse ishte biseduar më përpara”.
Të dy palët ranë dakord edhe për mënyrën se si do të korrespondonin me njëri-tjetrin.  Përgjthësisht, bashkëbiseduesi amerikan do t’ia drejtone mesazhet e tij Mbretit në emër të Kolonel Selmanit, nëpërmjet një kanali të sigurtë, për kujdesjen e Legatës Shqiptare në Kajro, Dihet se Legata Shqiptare në Kajro, në atë kohë ishte ndër të paktat përfaqësi diplomatike të Mbretit Zog që ende njihej nga ndonjë vend i tretë.  Vetë Mbreti Zog jetonte në Aleksandri i strehuar si mik i Mbretit Faruk, i cili ishte me gjak shqiptar si pasardhës i dinastisë së themeluar nga Mahmut Aliu.  Vetëm në shtator 1953 qeveria egjiptiane e formuar pas grushtit të shtetit që rrëzoi mbretërinë dhe shpalli republikën ia mohoi lejë qëndrimin mbretit Zog në Egjipt dhe tërhoqi njohjen ndaj legatës shqiptare në Kajro. Korrespondenca e Mbretit Zog drejtuar bashkëbiseduesit amerikan do t’i dorëzoheshin Atasheut Ushtarak Amerikan në Kajro, i cili do t’i përcillte madej këtej “në rrugë të sigurta”.

Lidhur me hollësitë për lëvizjen e agjentëve, bashkëbiseduesi amerikan tha se ose ai vetë, ose dikush tjetër personalisht i njohur prej tij, do të takonte mbretin, “me shumë gjasë në fund të tetorit, për të plotësuar të gjitha hollësitë e mbetura”.
Edhe gjatë kësa bisede Zogu nuk iu shmang rastit për të shprehur mosbesimin ndaj strukturave britanike.  “Do të parapëlqeja, tha ai shkoqur, që ky operacion i veçantë të administrohej ekskluzivisht si ndërmarrje amerikane, pa pjesëmarrje britanike”. Ai u shpreh, gjithsesi, se “nuk kam kundërshtim që informacioni i zbuluar si rezultat i misionit t’ju përcillej edhe britanikëve”.
 
KOMITETI SHQIPËRIA E LIRË

I formuar në 26 gusht 1949 si një organizatë mbulesë e planeve anglo-amerikane, Komiteti Shqipëria e Lirë ishte një amalgam i organizatave të ndryshme anti-komuniste në gjirin e mërgatës shqiptare në Perëndim.  Komiteti në dukje ishte i pavarur dhe, pas vdekjes së paprtur të Mithat Frashërit, drejtohej nga Hasan Dosti,. Në të vërtetë, organizata ishte kryekëput e financuar nga shërbimi e zbulimit, dhe në gjirin e saj kishte rryma të ndryshme, shpesh here të kundërta e me përçarje të skajshme midis vedit.

Bashkëbiseduesi amerikan i propozoi Zogut që Komiteti Shqipëria e Lirë të lihej jashtë operacionit “Molla”, çka Zogu e pranoi pa kurrfarë ngurrimi.  Përsëri Zogu nuk e kurseu një saçme tjetër ndaj britanikëve, duke thënë  “ndjehej i sigurtë që shumë prej vështirësive në mbarështimin e Komitetit ishin rrjedhojë e faktit që britanikët përpiqeshin të ruanin ndikimn e tyre duke i pozicionuar elemente të ndryshëm të Komitetit kundër amerikanëve”. Sipas tij, “kjo ishte çështje jashtëzakonisht e pakëndshmë, që duhej zgjidhur medoemos, nëse ishte e mundur, sepse sapo të dukej qartë se në kontroll të saj ishin amerikanët, shumica e intrigave dhe pëçarjeve ndërpartiake do të mbaronin.”
Mirëpo bashkëbiseduesi amerikan i shpjegoi Zogut se Komiteti mbështetej bashkërisht nga anglo-amerikanët dhe se ndryshimi i këtj rregullimi ishte i pamundur.

Në përfundim të “diskutimeve të punës” [business discussions], “Mbreti Zog e prezantoi” bashkëbiseduesin amerikan me avokatin e tij egjiptian, i cili, sipas Zogut, ishte edhe avokat i Mbretit Faruk. Më tej, Zogu e ftoi bashkëbiseduesin për darkë, ku mori pjesë edhe Kolonel Selmani, si edhe Esad Kryeziu, nip i Zogut, alias Princ Tati Kosova.
 
Vijon

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës