TIRANË -  Sali Berisha sulmoi institucionet e drejtësisë duke i cilësuar si më të korruptuarat jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha komentoi raportimin e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela dhe të kreut të SPAK, Altin Dumani në Komisionet Parlamentare, duke thënë se aty raportuan “përfaqësues të narkoqeverisë dhe narkodrejtësisë”. Për Berishën, raportimi i tyre ishte mjeran ndërsa shënjestroi edhe Ulsi Manjën dhe Fatmir Xhafajn.

“Një përfaqësim mjeran. Ju e patë se si mëkatarët, që të gjithë të implikuar në afera të ndryshme, qëndronin si mjeranë para kujt? Para drejtuesve të organeve të drejtësisë, të cilat faktikisht janë dëshmuar armike të egra të pluralizmit në Shqipëri. Janë dëshmuar institucionet më të korruptuara në Shqipëri dhe në Europë. Janë dëshmuar bashkëpunëtore në krime. Flas për përfaqësuesit, se unë e di që aty ka burra dhe gra të ndershëm dhe punëtorë që përpiqen. Por nuk ia dalin dot. Po si mund t’ia dalin? A e dëgjuat ju? Këndej flitej për gjykatësin e ekzekutuar, përfaqësuesi i qeverisë së gjykatësve fliste për të atin në aksident.”, tha Berisha.

Kreu i PD-së e cilësoi Dumanin si një bastard dhe armik të egër të pluralizmit politik. Berisha shkoi edhe më tej duke e krahasuar me Aranit Çelën (prokuror e gjyqtar  famëkeq i regjimit komunist) dhe se doli që të ishte “tigri i tretë i korrupsionit”. Sipas Berishës, dje gjatë raportimit në komisione, Dumani u bë gati që të largohej disa herë për shkak se sipas tij nuk mund të përballej dot me të vërtetat.

“Ti je një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri. Je një bastard, një Aranit Çelë në llojin tënd. Prisni një minutë, kemi arrestuar apo kemi bërë 35 zyrtarë. Ndalemi pak. Tre liderët e partive kryesore opozitare. Asnjë zyrtar të partisë së krimit. Erion Veliajn e arrestuat për llogari të Edi Ramës. Atë e ka marrë vesh tani çdo njeri.”, tha Berisha.

Sipas Berishës, Dumani e ka kthyer hetimin në institucion privat të Ramës.

"Ti e ke shndërruar hetimin në institucion privat për Edi Ramën. Ja ku e ke. Një drejtor ujësjellësi u pushua për vjedhje, dhe ky është në gjykatë tani, Bardh Spahia, kurse kryetari aktual i bashkisë që është kapur në të gjitha anët, ai vazhdon detyrën.", tha ai. 

U ndal gjithashtu edhe te marrëveshja e paqes së arritur në Gaza me ndërmjetësimin e presidentit të SHBA Donald Trump, duke thënë se vetëm Rama dhe Irani e Koreja e Veriut nuk e përshëndetën. Shënjestroi edhe presidentin Bajram Begaj lidhur me akuzat ndaj tij se rezulton i punësuar në një klinikë private.

Shteti i Rrumit, jo mor jo, më keq se Rrumi. Nuk është narkoshtet, por më keq. Presidenti shkon e bën para…ndodh në botë kjo?”, u shpreh Berisha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:28
Akuzat se Begaj punon në një klinikë private, Berisha: Ndodh kjo në botë? Shteti është bërë më keq se Rrumi…

 

Kreu i PD-së, Sali Berisha sulmoi edhe presidentin Bajram Begaj, për të cilin kanë kërkuar shkarkimin. Përveç akuzës për shkelje të Kushtetutës me dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë dhe të ministres virtuale Diella, PD e akuzon Begajn edhe se është punësuar në një klinikë private. Sipas Berishës, në asnjë vend nuk ndodh kjo ndërsa tha se shteti është me keq se Rrumi.

“Presidenti i betuar shkon punon në klinikë në sektor privat, që ai ka qenë mediokritet profesional. Të ishte ndonjë Tritan…çfarë profesioni ka ai, gastroenterolog. Ky shkon në klinikë private. Dhe po t’i thoni e bëj vullnetarisht, por absolutisht vetëm me lekë. Ne kërkojmë që Rusmali i tij nuk mund të paguhet në KAS se nuk e lejon ligji. Urdhëroni shteti. Një gazetar kishte shkruar shteti i Rrumit, jo mor jo, më keq se Rrumi. Nuk është narkoshtet, por më keq. Presidenti shkon e bën para…ndodh në botë kjo?”, u shpreh Berisha.

Ora 14:18
Berisha sulmon sërish Dumanin: U zgjodh nga Rama e Yuri Kim, doli tigri i tretë i korrupsionit

 

Kreu i PD-së, Sali Berisha sulmoi sërish kreun e SPAK, Altin Dumani duke e cilësuar si “trigrin e tretë të korrupsionit”. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Berisha tha se ai u zgjodh nga kryeministri Edi Rama dhe Yuri Kim kur ishte ambasadore e SHBA-së në Shqipëri.

“Skandali McGonigal ka tronditur botën. E para njëherë, kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s rekruton, se po e korruptove, e ke rekrutuar. Iku ajo punë. Pra, korrupton shefin më të rëndësishëm të vendit kryesor udhëheqës të NATO-s. E dyta, i çon nga zyra e tij 225 mjë euro. E treta, zoti Bardhi ka dorëzuar dosjen. Asgjë. Hetim paraparak tre vite me radhë. Po pse tre vite bën dosja për të ardhur nga Gjykata e Uashingtonit në Shqipëri? Kujt ia thotë ai. Dhe padisë së dytë që i bëri Adriana Kalaja, shtesë padie, nuk i përgjigjet.Pra, çfarë mund të bëjë ky njeri me ligjin dhe institucionin e akuzës më shumë se kaq.

 Rrinte aty dhe Ulsiu, të paktën me tre dosje, se përveç kësaj, Ulsiu është i regjistruar. Tjetri nga Londra i thotë, më duhet një çantë Louis Vuitton, pasi i ka marrë 500 mijë euro. Ka të tjerë që i ka nxjerrë në pritë dhe është vrarë tjetri nga prita. Po, më shumë se unë nuk i ka demaskuar kush me emra. Por absolutisht nuk jam për vrasje. E kemi hequr dënimin me vdekje ne.  Kurse këta kanë taktikën të hanë kokat e njëri-tjetrit. Dhe ky nuk i heton në bazën e kësaj taktike. Ja ta pyes unë këtu para jush, kush e nxori në pritë Bardhon Pllanën? Sali Berisha e ka denoncuar atë më shumë se kushdo tjetër, por nuk mund të jetë ligji dhe drejtësia që të hanë kokat e njëri-tjetrit.

Dhe ky hiqet aty... Sigurisht për të fituar zgjedhjet partia e tij, do arrestonte liderët e partive kryesore. Kush i bëri këto? Ky i bëri. T’i pyesë ata... Si u zgjodh ky? Kush e zgjodhi këtë? Edi Rama me Yuri Kim që bënte moral për korrupsion ajo dhe doli se ishte Tigri i tretë. Këta nuk kanë vetëdije. Këta janë qenie të transformuara. Nuk janë qenie njerëzore.”, tha Berisha.