Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, duke koordinuar të gjithë institucionet me përgjegjësi specifike në përballimin e emergjencave civile, ka marrë të gjitha masat për të përballuar plotësisht situatën e vështirë të krijuar nga rreshjet e dendura të ditëve të fundit, veçanërisht në disa qarqe në jug të vendit.
 
Në ditën e pestë të situatës së përmbytjeve, gjendja në zonat e përmbytura paraqitet si më poshtë:
 
Rreth 17 mijë hektarë tokë, ku përfshihen tokë bujqësore dhe zona të banuara kanë qenë nën ujë;
Rreth 5 mijë hektarë tokë, ku përfshihen vetëm shtëpi dhe zona të banuara, dhe ku janë përqëndruar operacionet e ndihmës për banorët janë nën ujë;
Mbi 600 familje janë evakuuar nga banesat e tyre për shkak të përmbytjeve; 
Për familjet e evakuuara janë krijuar mundësitë e strehimit në bazën e Bunavisë dhe në konviktet e shkollave të qytetit të Vlorës dhe Fierit. Por pjesa më e madhe e të evakuuarve ka preferuar të shkojë tek të afërmit e tyre në fshatrat për rreth, apo edhe të fqinjët, shtëpitë e të cilëve nuk janë në rrezik.
 
Prej ditës së hënë ka nisur shpërndarja e pakove ushqimore për banorët në vështirësi. Deri tani janë shpërndarë më shumë se 2.600 paku ushqimore për familjet në zonat e përmbytura.
 
Në veprimet konkrete në terren për përballimin e situatës së vështirë dhe dhënien e ndihmës për qytetarët në rrezik u përfshinë rreth 2.100 forca dhe qindra mjete, dhe konkretisht:
 
Strukturat e Drejtorisë së Emergjencave Civile;
Policitë lokale në të gjitha qarqet;
Reparti “Delta Force”;
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Fier;
Reparti RENEA;
Repartet e Forcave të Reagimit të Shpejtë të Forcave të Armatosura;
Shërbimet e PMNZSH (Zjarrfikëset)
Bordet e Kullimit në qarqe;
Drejtoritë e OSHEE në qarqe;
Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile. 
 
 
Kronologjia e masave të Ministrisë së Punëve të Brendshme
 
Vlen të theksohet se për herë të parë në këto 24 vjet strukturat e Emergjencave Civile kanë nisur përgatitjet për të përballuar siutuatën e rënduar përpara se ajo të krijohej. Janë ngritur shtabet e emergjencave dhe ka nisur njoftimi i qytetarëve që 2 ditë përpara se të nisnin rreshjet dhe të shkaktoheshin përmbytjet.
 
Njoftimi i parë. Në datë 28 janar 2015 Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile është njoftuar nga Shërbimi Metereologjik Shqiptar për një situatë të rënduar rreshjesh që pritej të mbulonte vendin tonë. Njoftimi ishte marrë nga qendra e Europiane e Monitorimit të krizave të përmbytjeve me qendër në Sllovaki.
 
Brenda datës 28 janar u është përcjellë informacioni të gjitha prefekturave në vend.
 
 
Masat paraprake. Në datë 29 janar është ngritur me urgjencë shtabi qëndror i emergjenës civile i cili ka nisur punën për ngritjen e shtabeve të emergjencave në të gjitha qarqet e vendit.
 
Janë udhëzuar të gjitha shtabet e emergjencave që të nisnin njoftimin e banorëve të zonave që sipas parashikimit rrezikoheshin nga përmbytjet.
 
Janë vënë në gadishmëri të gjitha kapacitete njerëzore dhe teknike të strukturave të Emergjencave Civile, Policisë dhe Forcave të Armatosura  për të përballuar situatën.
 
Lajmërimi i popullatës. Shtabet e emergjencave civile nëpër qarqe kanë shfrytëzuar të gjitha mënyrat e mundshme për të lajmëruar banorët lidhur me rrezikun e përmbytjeve.
 
Është njoftuar përmes strukturave të pushtetit vendor;
Janë vënë në lëvizje Inspekktorët e policisë së zonave;
Është bërë njoftim në mediat lokale; 
Përballimi i emergjencës. Megjithëse janë njoftuar në kohë një pjesë e mirë e banorëve të zonave që rrezikoheshin nuk ka pranuar të largohet nga banesat e tyre. Nga ana e drejtuesve të shtabeve të emergjencave dhe Drejtorisë së Emergjencave Civile në mjaft raste u është kërkuar në mënyrë të përsëritur banorëve të largohen nga banesat e tyre.
 
Në kushtet kur një pjesë e banorëve nuk ka pranuar të largohen nga banesat e tyre strukturat e Drejtorise së Emergjencave Civile kanë nisur evakuimin e detyrueshëm të banorëve në të gjitha zonat e rrezikuara.
 
Si rezultat i ndërhyrjeve në kohë u bë e mundur që në fazën e parë të situatës së emergjencës të mos regjistrohet asnjë humbje jete.
 
Parashikimet e motit tregojnë se situata e emergjencës nuk ka kaluar, madje pritet që rreshje edhe më të shumta të bien në ditët në vijim.
 
Për këtë arsye shtabet e emergjencave në qarqe dhe të gjitha strukturat e tjera në terren vijojnë të jenë në gadishmëri të plotë për çdo situatë që do të paraqitet.