Raporterja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos ka thënë se vendi ynë e meritoi plotësisht çeljen e negociatave.
Sipas "European Western Balkans", Santos shprehet se BE ka njohur të gjitha arritjet e Shqipërisë dhe për këtë i jep meritë edhe metodologjisë së re nga BE që e quan të parashikueshme dhe pozitive.
Isabel Santos konfirmon se ka pasur përpjekje nga të gjitha palët për të arritur çeljen e negociatave ndërkohë shton se pritet të shihen kushtet që do të plotësojë tashmë Shqipëria.
Disa prej kushteve Santos i konsideron shumë të vështira për t’u plotësuar por thotë se me bashkëpunim do të arrihen.
"Që nga vendimi për të hapur negociatat e pranimit, Shqipëria dhe pjesa tjetër e Evropës janë marrë me urgjencën e pandemisë globale që lidhet me virusin COVID-19. Për më tepër, vendi ishte duke u rikuperuar nga tërmeti i tmerrshëm i nëntorit të kaluar. Sidoqoftë, unë besoj se ky vendim u mor në një mënyrë shumë pozitive nga autoritetet dhe se gjithashtu ndihmoi për të dhënë një motiv shtesë për të vazhduar me reformat që kanë vazhduar në Shqipëri", shprehet Santos.
Ajo ka shtuar se ka pasur një përpjekje nga të gjithë aktorët në Shqipëri për të përmbushur kushtet në lidhje me procesin e pranimit dhe se është e rëndësishme të ketë një qasje të integruar për të gjithë punën që duhet të bëhet.
"Disa nga kushtet janë të lidhura dhe nuk mund të merren si një send i veçantë nga njëri-tjetri. Unë e kuptoj që disa kushte mund të jenë më të vështira për t’u arritur se të tjerët, por besoj se ka një vullnet për të punuar në gjithçka dhe për t’i arritur ato të gjitha", ka thënë ajo.
Santos ka theksuar se për shkak të gjendjes aktuale të jashtëzakonshme nuk mund të japë një përgjigje konkrete në lidhje me afatet ose datat.
"E di që të dy palët po vazhdojnë bashkëpunimin dhe punën e tyre për të përmbushur ato kushte, lufta kundër pandemisë globale tani është e para në mendjen e të gjithëve", ka thënë ajo.
Nard Noka Kryeminister rruga per BE e hapur
Përgjigju