PRISHTINË, 12 Shtator/ATSH/.- Marrëveshjet e Brukselit nuk kanë sjellë rezultate konkrete, e as jetë më të mirë për serbët. Asociacioni i Komunave serbe, i dizajnuar, menaxhuar e udhëhequr nga Beogradi e jo nga serbët e Kosovës, nuk do të sjellë përfitime për serbët që jetojnë dhe mendojnë të vazhdojnë edhe më tej jetën e tyre në shtetin e Kosovës.
Kështu tha në një intervistë për KosovaPress ish ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe lideri i Partisë Progresiste Serbe, Nenad Rashiq.
Rashiq në këtë intervistë deklaroi se në rast se kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi nuk i pengon thënia " Kosova dhe Metohia", që përdoret shpeshherë nga pjesëtarët e Listës Serbe, një gjë e tillë më së paku do të duhej ta pengonte dhe e pengon atë.
Për Rashiqin edhe pse Prishtina zyrtare dhe Beogradi zyrtar kanë shpallur fitoren pas marrëveshjeve të fundit në Bruksel, ata që më së shumti humbën nga këto marrëveshje apo që nuk fitojnë fare janë serbët lokal të Kosovës, apo siç i quan Rashiq "serbët autoktonë".
Mospërfshirja e serbëve lokalë në hartimin e mënyrës se si do të funksionojë dhe strukturohet Asociacioni i Komunave serbe në Kosovë, tregon ndikimin e pakët që kanë serbët dhe partia e Rashiqit në këtë bashkësi të komunave.
Sipas tij, është neglizhuar serbëve lokalë nga ana e institucioneve të Kosovës, të cilat në vend që të konsultohen me ta, i janë drejtuar Beogradit, gjë e cila më pas bëri faktor edhe Listën Serbe në institucionet e Kosovës.
Integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës shpeshherë është varur nga interesimi që kanë shfaqur institucionet e Kosovës për integrimin e tyre, ndonëse sipas Rashiq edhe serbët e mbajnë një pjesë të fajit për këtë. Sipas tij është absurde të shihet se si tani në vend të atyre që duan të integrohen në jetën politike e sociale në vend, me komunat me shumicë serbe udhëheqin ata që ishin kundër regjistrimit të serbëve si pjesë e popullsisë së Republikës së Kosovës.
Rashiq ka folur edhe për shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, në Forca të Armatosura të Kosovës, për të cilën tha se ai disa herë ka shprehur qëndrimin e tij se është i gatshëm të diskutojë. /m.m/