Javën e kaluar një shtetas britanik, i cili kishte qenë më parë në një nga vendet e Afrikës u paraqit në spitalin Infektiv, me simptomat e malarjes. Ai iu nënshtrua menjëherë trajtimit mjekësor. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, ai ka lënë spitalin dhe aktualisht është në gjendje të mirë.
“Rasti që është diagnostikuar ditët e fundit është një rast i infektuar jashtë vendit. Pra, nuk ka vend për panik dhe për alarm”, tha Artan Simaku mjek epidemiolog.
Instituti i Shëndetit Publik thekson se malaria nuk është një sëmundje me transmetim endemik në Shqipëri. Rastet e regjistruara ndër vite kanë qenë sporadike.
“Në Shqipëri, prej rreth gjashtë vjetësh nuk ka transmetim autokton të malaries, pra transmetim brenda vendit. Të gjitha rastet që janë evidentuar ndër vite kanë qenë raste të importuara, që do të thotë se personat janë infektuar jashtë vendit”, shtoi ai.
Epidemiologu, Artan Simaku sqaron se malaria nuk transmetohet përmes kontakteve të zakonshme nga një person te tjetri, por vetëm nëpërmjet mushkonjave të infektuara.
“Rastet me malarie, nëse diagnostikohen dhe trajtohen në kohë, shërohen plotësisht dhe nuk lënë asnjë pasojë shëndetësore”, tha Simaku.
Sipas të dhënave gjatë periudhës 2022-2026 në Shqipëri janë raportuar gjithsej 12 raste me malarie, me nurmin më të lartë në vitin 2023, me 5 të infektuar.









Komente
Komento