Rastet e bullizmit në shkollat shqiptare dyfishohen në tre vjet

Rastet e bullizmit në shkollat shqiptare dyfishohen në tre vjet

Foto ilustruese

Në vitin 2018, qeveria shqiptare u mburr pas publikimit të një raporti të PISA, i cili vlerësonte se vendi kishte nivel të ulët të bullizmit në shkollat e arsimit parauniversitar.

Sipas raportit, rreth 86% e nxënësve shqiptarë nuk pajtohen me fenomenin e bullizmit dhe gati 91% e tyre mbështesin nxënësit që preken nga ky fenomen.

“Indeksi i ulët për fenomenin e bullizmit, mos-pajtimi me të dhe mbështetja ndaj nxënësve të prekur nga bullizmi e rendisin Shqipërinë ndër vendet më të mira..,” tha asokohe ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini.

Por katër vjet më pas, të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se rastet e raportuara të bullizmit në arsimin parauniversitar shqiptar thuajse janë dyfishuar, ndërsa shifrat zyrtare përfaqësojnë vetëm “majën e ajsbergut” të përhapjes reale të këtij fenomeni.

Të dhënat e mbledhura përmes kërkesave për të drejtë informimi në tre nga katër drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar me bazë në Durrës, Lezhë dhe Fier tregojnë se gjatë tre viteve të fundit janë raportuar 1945 raste të bullizmit në institucionet e arsimit parauniversitar. Në këtë raport mungojnë të dhënat e drejtorisë rajonale të Korçës, e cila nuk iu përgjigj kërkesës për të drejtë informimi të BIRN.

Rastet e raportuara të bullizmit janë rritur nga 491 raste në vitin shkollor 2019-2020 në gati 900 raste përgjatë vitit shkollor 2021-2022.

Fenomeni i bullizmit duket se prek më shumë djemtë sesa vajzat, me 811 raste të raportuara kundrejt 667 rasteve ku objekte të ngacimit kanë qenë vajzat përgjatë tre viteve të fundit. Ndërkohë, drejtoria rajonale e Lezhës nuk i kishte ndarë të dhënat sipas gjinisë, por bëri me dije se “pjesa dërrmuese e rasteve ishin djem”.

Numri më i madh i rasteve të bullizmit është raportuar nga drejtoria rajonale e Durrësit – ku përfshihet edhe qyteti i Tiranës me 1088 raste, i ndjekur nga drejtoria rajonale e Lezhës me 467 raste dhe ajo e Fierit me 390 raste të raportuara.

Bullizmi përfaqëson përdorimin e forcës fizike ose psikologjike për të shtrënguar, ngacmuar, kërcënuar apo dominuar fëmijën – një sjellje që është shpeshherë e përsëritur.

Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar i thanë BIRN se ato kishin hartuar rregullore për të luftuar këtë fenomen si dhe kryenin aktivitete sensibilizuese me pjesmarrjen e prindërve, nxënësve dhe mësuesve.

Sipas DRAP Durrës, në rastet kur evidentohen raste bullizmi në mjediset e shkollës, ato referohen tek shërbimi psiko-social, i cili vlerëson dhe kontribuon në zgjidhjen e problemit.

“Kur gjykohet e nevojshme, pra rasti është i ndërlikuar apo sjellja bullizuese nuk ndalon, rasti ndiqet dhe trajtohet nga komisioni i ndërmjetësimit, komisioni i etikës apo nga komisioni i disiplinës,” shtoi DRAP Durrës në një përgjigje me shkrim.

Edhe DRAP Lezhë tha se rastet e bullizmit dhe dhunës në shkollë i menaxhonte në bashkëpunim me punonjësit e shërbimit psiko-social, mësuesit kujdestarë dhe prindërit.

“Rastet e dhunës dhe bullizmit të identifikuara si të shkaktuara nga faktorë jashtë institucioneve arsimore referohen për menaxhim të specializuar në strukturat përkatëse, duke bashkërenduar menaxhimin e rastit me institucionin arsimor,” tha DRAP Lezhë.

Sipas psikologes Arjana Muça, bullizmi është një nga problemet kyçe me të cilin përballen nxënësit dhe adoleshentët në shkollë, që shkakton trauma te këta fëmijë.

Ky fenomen shfaqet sipas saj në shumë forma, që nga vendosja e epiteteve fyese e deri te shantazhet apo dhuna fizike.

“Grupet më të rrezikuara janë nxënësit që mësojnë, fëmijët me probleme sociale apo me të ardhura të pakëta, fëmijët me trup të imët, ata me personalitet introvert apo fëmijët me aftësi të kufizuara,” tha psikologia Arjana Muça.

“Pasojat e bullizmit janë traumat që fëmijët kalojnë. Përjetimet e ndjenjave të ankthit, frikës, vetëvlerësim i ulët, izolim dhe deri në depresion tek adoleshentët, që mund t’i çojë në vetëvrasje…,” përfundoi ajo./Birn

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?