Rritja e fortë e numrit të rasteve me koronavirus në SHBA ka rritur shqetësimin, por disa ekspertët thonë se përqëndrimi duhet të jetë më i madh tek shtrimet në spital si pasojë e COVID-19. Shifrat në këtë raste nuk po rriten aq shpejt.
Por megjithatë çdo matje ka vlerën e vet thonë ekspertët e shëndetësisë. Vëzhgimi i shtrimeve në spitale tregon se virusi po shkakton ende raste të rënda dhe kërcënon kapacitetet e brishta spitalore.
Nga ana tjetër, numërimi i rasteve është ende vendimtar për monitorimin se ku shfaqen pikat e nxehta dhe sa shpejt, duke pasur parasysh se numri i vërtetë i rasteve ka të ngjarë të jetë shumë herë më i lartë sesa shifrat zyrtare.
Ndërsa varianti tejet ngjitës i COVID-it, Omicroni, ka shpërthyer në të gjithë vendin, rastet e reja që shënohen në ditë janë më shumë se trefishuar gjatë dy javëve të fundit, duke arritur një mesatare rekord prej 480,000 infeksionesh.
Por shifrat në disa ditë pësojnë luhatje të mëdha. Numri i rasteve të reja të regjistruara të hënën arriti në 1 milion, një shifër që mund të pasqyrojë një ngarkesë të mbetur nga raportime të vonuara gjatë fundjavës së festave. Mesatarja shtatë-ditore konsiderohet më e besueshme.
Aktualisht vlera e rasteve ditore me COVID po vihet në pikëpyetje si kurrë më parë.
Por një gjë është e sigurt, se rritja e lartë reflekton, të paktën pjesërisht, një rrëmujë të shkaktuar nga Omicron-i.
Gjithashtu, numri i vërtetë i infeksioneve është ndoshta shumë më i lartë, sepse rezultatet e testeve në shtëpi që amerikanët po përdorin nuk i shtohen raportit zyrtar.
Shifrat mbi rastet e reja duket se japin një pamje më pak të dobishme të pandemisë mes përhapjes së Omicron-it, i cili megjithëse po shkakton shumë infeksione, deri më tani nuk po rezulton të këtë efekte aq të rënda./VOA/