TIRANE- Prej dy ditësh Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka urdhëruar nisjen e një inspektimi në Gjykatën e Apelit Vlorë, si pasojë e lirimit të biznesmenit fierak Arben Gropa, alias Vangjel Zijaj. Inspektimi i ministrisë së Drejtësisë do të shtrihet edhe në gjykatën e Fierit, ku do të verifikohen me imtësi dy vendimet gjyqësore, ai që caktonte masën e “arrestit në burg” për Arben Gropën dhe ai i “arrestit të shtëpisë”, për të dënuarin si trafikant në Itali. Për Arben Gropën autoritet italiane kanë sjellë kërkesën për ekstradimin në Itali, ndërkohë në gjykatën e Fierit pritet të fillojë procesi gjyqësor.

Gjykata e Romës e ka dënuar me 32.6 vite burg. Biznesmeni fierak ka qënë pjesë e një grupi kriminal që vepronte në zonën qëndrore të Italisë, duke trafikuar heroinë, kokainë. Burime pranë policisë thanë se grupi kriminal përbëhej prej më shumë se 10 persona, me kombësi shqiptare. Pjesa më e madhe e bandës është arrestuar në Itali dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga gjykata e Romës.

Njëri prej të super të kërkuarve është dhe shtetasi Arben Gropa, alias Vangjel Zijaj, i cili falë informacioneve operative është arritur të lokalizohet në Fier, ku dhe kishte zhvilluar bizneset e tij në fushën e ndërtimit dhe lokaleve e restoranteve, ku më i njohuri në Fier është ai që mban emrin “Taverna Pelikani”.

Shkrimi u publikua sot (07.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)